Borxhi publik vetëm për dy vjet është rritur për 2,5 miliardë euro në vlerë absolute, paralajmëroi ish-zëvendëskryeministri për çështje ekonomike dhe deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në intervistën për emisionin „Win-Win“ në TV Telma.
Bytyqi theksoi se borxhi publik nuk guxon të relativizohet dhe se është e gabuar të krijohet perceptimi se huamarrja nuk është çështje e rëndësishme për stabilitetin ekonomik të shtetit.
„Është krijuar perceptimi se borxhi publik nuk është i rëndësishëm. Jo, borxhi publik gjithsesi është i rëndësishëm“, porositi Bytyqi.
Sipas tij, shifrat për huamarrjen nuk janë insinuata opozitare, por të dhëna të vetë pushtetit.
„Kjo është realiteti, sipas shifrave të tyre, jo sipas shifrave tona. Deri në dhjetor të vitit 2023, kur ne kishim kontroll mbi borxhin publik, ai ishte 8,5 miliardë euro. Në këtë moment, pa borxhin e ri prej 260 milionë eurosh, borxhi është 10,8 miliardë euro, ndërsa me huamarrjen shtesë arrin në 11 miliardë euro“, tha Bytyqi.
Bytyqi u ndal edhe te mjetet nga kredia hungareze, duke theksuar se qytetarët ende nuk kanë një pasqyrë të qartë se ku dhe si po përdoren ato para.
„Vetëm të kujtojmë, 250 milionë euro duhej të shkonin në njësitë e vetëqeverisjes lokale. Deri më tani janë paguar vetëm 47 milionë euro, sepse të gjitha marrëveshjet për kanalizimin e parave hungareze në infrastrukturë janë për pesë vjet. Nëse gjendja do të ishte vërtet e mirë, çdo projekt i realizuar infrastrukturor do të duhej të paguhej pas përfundimit të tij“, theksoi Bytyqi dhe nënvizoi se pyetja thelbësore është: Ku u zhduk një miliard euro nga Hungaria?


