E vetmja gjë e qëndrueshme në politikën ekonomike të kësaj Qeverie është paqëndrueshmëria e planeve të saj buxhetore, vlerësoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në seancën e Komisionit parlamentar për Financim dhe Buxhet, kushtuar ribalancimit të dytë të Buxhetit për vitin 2026.
Ai paralajmëroi se brenda më pak se dhjetë muajsh, Qeveria ka paraqitur tri struktura të ndryshme buxhetore, ndërsa deficiti mbetet dukshëm më i lartë se ai i planifikuar fillimisht dhe mjetet për investime kapitale po zvogëlohen.
“Brenda dhjetë muajsh kemi tri struktura buxhetore dhe të njëjtën udhëheqje, e cila vazhdimisht na shpjegon se gjithçka po zhvillohet sipas planit. Duket se e vetmja gjë e qëndrueshme në politikën ekonomike të kësaj Qeverie është paqëndrueshmëria e planeve të saj buxhetore. Populli prej kohësh thotë: ‘Mat dy herë, prit një herë’. Por kjo Qeveri, me sa duket, së pari pret, e pastaj mat se sa ka gabuar. Dhe këtë e bën tri herë. Vetëm se çmimin e çdo vendimi të gabuar e paguajnë qytetarët, jo ata që e kanë marrë”, theksoi Bytyqi.
Ai vuri në dukje se deficiti buxhetor, i planifikuar fillimisht në 39,239 miliardë denarë, përkatësisht 3,5 për qind të PBB-së, me ribalancimin e korrikut u rrit në 46,264 miliardë denarë, ose 4,1 për qind të PBB-së, ndërsa me ribalancimin e tetorit mbetet i pandryshuar. Njëkohësisht, shpenzimet kapitale zvogëlohen nga 45,879 në 40,124 miliardë denarë, përkatësisht për 5,755 miliardë denarë, ndërsa duke përfshirë edhe komponentin e veçantë KAPEF, zvogëlimi i komponentit të përgjithshëm kapital arrin në rreth 6,3 miliardë denarë. Sipas Bytyqit, kjo rishpërndarje konfirmon paralajmërimin e Këshillit Fiskal se deficiti shtesë, praktikisht, nuk është më i destinuar për rritjen e investimeve kapitale, por për mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse.
“Në korrik e arsyetonit rritjen e deficitit me argumentin se po siguronit mjete shtesë për investime kapitale. Ky ishte arsyetimi kryesor zhvillimor për hendekun më të madh fiskal. Dhe tani vijmë te kthesa thelbësore. Investimet kapitale po kthehen pothuajse në nivelin fillestar, por deficiti mbetet shtatë miliardë denarë më i lartë se ai i planifikuar fillimisht. Në korrik merrnim më shumë hua, gjoja për të investuar më shumë. Në tetor investimet zvogëlohen, huamarrja mbetet, ndërsa Qeveria vazhdon të flasë për zhvillim”, theksoi Bytyqi.
Duke iu referuar prioriteteve zhvillimore, deputeti i LSDM-së theksoi se me ribalancimin zvogëlohen mjetet nga buxheti bazë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zonat zhvillimore teknologjike-industriale, investimet e huaja, zhvillimin e barabartë rajonal, energjetikën dhe infrastrukturën arsimore. Ai paralajmëroi edhe për paqëndrueshmërinë e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, të cilat nga 218,6 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2026 janë zvogëluar në 18,7 milionë euro në tremujorin e dytë. Gjithashtu, ai shtoi se shpenzimet për pensionet po rriten, por rritja e tyre nominale nuk garanton edhe fuqi më të madhe blerëse, ndërsa varësia gjithnjë e më e madhe e fondit pensional nga transfertat buxhetore ngre pikëpyetje për qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit.
“Interesat, ndryshe nga investimet kapitale, kanë një përparësi të madhe: ato nuk varen nga aftësia e Qeverisë për të realizuar projekte. Ato vijnë rregullisht, edhe kur zhvillimi vonohet. Në këtë pjesë nuk ka dështim në realizim”, tha Bytyqi, duke theksuar se shpenzimet për interesa arrijnë në 21,094 miliardë denarë, që është më shumë se gjysma e shpenzimeve kapitale të planifikuara.
Ai paralajmëroi se borxhi publik, i cili më 30 qershor arriti në 10,726 miliardë euro, deri në fund të vitit mund të tejkalojë 11 miliardë euro, dhe kërkoi nga ministrja e Financave të shpjegojë se si trajtohen huamarrjet shtesë të paralajmëruara në evidencën zyrtare të borxhit publik.
Bytyqi kërkoi nga Qeveria edhe një plan konkret për shlyerjen e detyrimeve të maturuara, por të papaguara, të subjekteve publike, të cilat në qershor arritën në 42,66 miliardë denarë, si dhe transparencë më të madhe lidhur me atë se cilat detyrime përfshihen në ribalancim. Sipas tij, shteti nuk guxon të rrezikojë likuiditetin e kompanive duke vonuar pagesat e detyrimeve të veta, përfshirë edhe rimbursimin në kohë të TVSH-së.
Në përfundim të fjalimit të tij, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, theksoi se pas zërave buxhetorë qëndrojnë punëtorë, pensionistë, të rinj dhe kompani që presin një shtet të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, duke nënvizuar se çmimi i vërtetë i planifikimit të dobët buxhetor paguhet me mundësinë e humbur për zhvillimin që nuk do ta realizojmë.



