Shtëpia botuese Logos-A ka nxjerrë së fundmi në dritën e botimit librin “Meta-Religjioni: Drejt një teologjie botërore kritike”, të autorit të njohur Ismaʿil Raji al-Faruqi, në përkthimin nga anglishtja të Rehan Nezirit.
Me një shtrirje prej 134 faqesh, kjo vepër trajton çështje thelbësore që lidhen me kuptimin e religjionit, marrëdhëniet ndërmjet traditave fetare dhe mundësinë e zhvillimit të një perspektive teologjike me përmasa botërore.
Në këtë libër, al-Faruqi ndërmerr një projekt të thellë dhe ambicioz intelektual, duke vënë në shqyrtim vetë themelin epistemologjik mbi të cilin njerëzimi e kupton fenomenin fetar dhe ndërton raportet ndërmjet religjioneve. Përmes një qasjeje kritike, vepra nxit reflektimin mbi mënyrën se si traditat fetare mund të studiohen, të kuptohen dhe të vihen në dialog brenda një horizonti më të gjerë teologjik.
Botimi i kësaj vepre në gjuhën shqipe përbën një kontribut për lexuesit, studiuesit dhe të gjithë ata që interesohen për teologjinë, filozofinë e religjionit dhe dialogun ndërfetar.
Përmes këtij botimi, Logos-A vazhdon të sjellë në shqip vepra me rëndësi për mendimin teologjik dhe filozofik, duke zgjeruar hapësirën e reflektimit dhe të debatit intelektual.
Logos-A – Frymëzimi vazhdon…



