24 Nëntor 2018 / 16:15
Qeveria e ndau rritjen e pagave për stafin mjekësor në tri pjesë. Nga janari mjekët specialistë do të marrin paga dhjetë për qind më të larta, ndërsa infermierët pesë për qind. Punonjësit e tjerë të shëndetësisë si teknikët, shoferët, pastruesit dhe profesione të ngjashme rritjen e pagës prej 5 për qind do ta presin deri në shtator të vitit 2019. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce, duke shpjeguar projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, vuri në dukje se të gjithë punonjësit shëndetësorë kanë pasur rritje page këtë vit.
Ne kemi siguruar kompensim për specializantët privatë dhe për punën e tyre, si dhe rritjen e shumës për orët e kujdestarisë, apo punës së natës. Dhe dua të theksoj se vitin e ardhshëm do të fillojmë me rritjen e pagave në shëndetin publik “. – u shpreh Venko Filipçe –Ministër i Shëndetësisë
Në prezantimin e sotëm ministri Filipçe nuk e përmendi Ndihmën e shpejtë dhe nuk tha nëse për këtë sektor në shëndetësi janë parashikuar fonde. Në pyetjen e televizionit Alsat, si do ta kishe vlerësuar punën dhe përgatitjen e “ndihmës së shpejtë”, Filipçe shprehet se së shpejti ky shërbim për qytetarët do të marrë notën pesë të pastër.
Jam i vetëdijshëm se përballen me shumë probleme, problemet kanë të bëjnë me mungesën e automjeteve, njëherë është ka edhe largim të shumë kuadrove. Kështu që, përveç automjeteve të reja do të punësohet edhe kuadër, ndaj shpresoj se për një kohë të shkurtër do të arrijmë notën pesë”. – tha Venko Filipçe –Ministër i Shëndetësisë
Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për vitin e ardhshëm është parashikuar të arrijë diçka mbi 102 milionë euro. Sipas planit të ministrit të këtij dikasteri, për vitin 2019 është parashikuar të rikonstruktohen disa spitale më të mëdha, por edhe të ndërtohen shtëpi të reja më të vogla shëndetësore. Për vaksina janë parashikuar pesë milionë euro, ndërsa për furnizimin e insulinës dhjetë milionë euro.
Ile Petrevski
Loading…


