29 August 2018 / 14:58
Burgu i Idrizovës ka marr një pamje të re e cila premton kushte më të mira për vendosjen e të burgosurve. Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska përuroi fazën e parë të punimeve për përmirësimin e kushteve në këtë burg që vazhdimisht është përballur me kritika nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për kushte katastrofale dhe trajtim johuman ndaj të burgosurve. Ministrja pret që vlerësimet negative për burgjet ti takojnë së kaluarës.
Me vizitën e kryeministrit Zaev në këtë burg qeveri e re i hapi dyert e Idrizovës për publikun, që përmes gazetarëve nga afër ti shohin kushtet e këtij institucioni. Sot përsëri i hapim dyert e pjesës së re të ndërtuar të burgut në Idrizovë në të cilin do të mund të shihni një pamje më ndryshe. Ndërtimi i kapaciteteve të akomodimit në burgun e Idrizovës është në fakt njëra ndër masat që kemi marrë për përmirësimin e kushteve për ekzekutimin e sanksioneve”- u shpreh Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.
Edhe drejtori i drejtorisë së burgjeve, Jovica Stojanoviç tha se të burgosurit tani e tutje do të kenë kushte më të mirë, por se përpjekjet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për një arritjen e standardeve evropiane
Në këtë moment në fazën e parë janë ndërtuar rreth 10 mijë katrorë sipas standardeve evropiane për përmirësimin e gjendjes në burgjet tona. Ne jemi këtu për ta bërë qëndrimin e personave të privuar nga liria të jenë funksionues dhe efikas”- tha Jovica Stojanoviç, drejtor i burgjeve.
Reparti i hapur në objektin e ri të ndërtuar në burgun e Idrizovës ka kapacitet për 294 të dënuar me hapësirë prej 3.800 metra katrorë, ndërsa reparti gjysmë i hapur ka hapësirë prej 4000 metra katrorë ku mund të vendosen 252 të burgosur. Qelitë për akomodim kanë hapësirë për 4 persona. Këto objekte po ashtu posedojnë punëtori, salla të fitnesit, hapësira për rekreacion dhe qeli për persona me aftësi të kufizuara.
Elmedina Aliji


