Zv.kryeministri Izet Mexhiti ka reaguar pas takimit të një dite më parë mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të ASH-së Arben Taravari, shkruan Alsat.
Duke aluduar në atë që Taravari ka shkelur besën dhe fjalën e dhënë, Mexhiti shkruan:
“Kur shkilet fjala e dhënë, është thyer buka. E buka që thyhet nuk ngjitet. As me takime të njëpasnjëshme, as me afate një mujore. Sepse besa nuk është thjesht një zotim; ajo është një garanci nderi, që në histori ka qenë më e fuqishme se çdo dokument ligjor”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër.
Një ditë më parë, takimi mes Mickoskit dhe Taravarit rezultoi pa epilog, mirëpo, burime nga qeveria thanë se ka shkuar në frymë konstruktive. Mickoski mësohet t’i ketë dhënë afat deri në fund të majit që Taravari t’i japë përgjigje pyetjes së madhe, a do të përcaktohet për bashkëpunim me BDI-në në zgjedhjet lokale, ose do të zgjedhë të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit qeveritar.
Alsat mëson se në tryez nuk janë hedhur plane ose opsione të tjera shtesë, përveç këtyre të dyjave. Prononcime nga palët nuk pati pas takimit sepse kreu i ASH-së u fut dhe doli nga garazha e ndërtesës së ekzekutivit, duke shmangut mediat.
Kryeministri një ditëmë parë deklaroi se Taravari ka dy opsione, në qeveri për reforma dhe ndryshime ose me ata që për dy dekada kriminalizuan shtetin. Lojërat pas krahëve shihen dhe, sipas Mickoskit, këto lojëra shpesh bien në kokën e atij që i bën.
Taravari po ashtu tha se nuk ka marrëveshje me BDI-në, dhe se kur të ketë, nuk do të synojë të jetë më pjesë e qeverisë./ Alsat.mk