Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut u bëri thirrje sot qytetarëve për shkak të mbrojtjes së shëndetit publik, filialet dhe ekspoziturat e bankave të vizitohen vetëm kur është e nevojshme dhe urgjente.
“Prej nesër, në periudhën nga ora 10 deri në orë 12, kur lejohet lëvizja e personave mbi 67 vjeç, qytetarët që janë në grupmoshat e tjera duhet të përmbahen nga vizita e filialeve dhe ekspoziturave. Në këtë termin, t’u jepet përparësi qytetarëve të moshuar që e kanë nevojën e domosdoshme për shërbime bankare, ta bëjnë këtë në kohën e duhur dhe pa e rrezikuar shëndetin e tyre. Qytetarët që janë në grupmoshat e tjera, nëse kanë nevojë urgjente për t’i vizituar bankat, duhet ta bëjnë këtë para orës 10 ose pas orës 12”, potencohet në kumtesën nga Kabineti i Guvernatorit të BP-së.
Ftohen qytetarët gjatë një vizite t’i realizojnë të gjitha shërbimet bankare për të cilat klienti beson se është e nevojshme prania fizike në filiale dhe ekspozitura dhe të përpiqen sa më shumë që të jetë e mundur të përdorin shërbime bankare elektronike dhe mobile.
“Nëse keni nevojë për vizitë të filialeve dhe ekspoziturave të bankave, ne kërkojmë që të respektohen rekomandimet për distancën dhe mbrojtjen e duhur, të respektohen udhëzimet e dhëna në mënyrë përmes pritjes para filialeve dhe ekspoziturave të mos rrezikohet shëndeti dhe kudo që të jetë e mundur, të përdoren kartelat pagesore”, theksohet në kumtesën.
Nga kabineti i guvernatorit të BP-së theksojnë se ata janë në komunikim intensiv me bankat, me propozime dhe zgjidhje specifike për t’i tejkaluar problemet që kanë qenë të pranishme ditëve të fundit, kur gjatë pagesave të pensioneve dhe ndihmës sociale, numri i qytetarëve që i vizitojnë filialet dhe ekspoziturat është rritur. Në të njëjtën kohë, për këto propozime dhe zgjidhje tashmë është duke u diskutuar edhe me përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale edhe në shtabet komunale të krizave, në mënyrë që të aplikohet një qasje që do të japë rezultat më të mirë dhe më efektiv.
“Si bankë qendrore, ne jemi maksimalisht të përkushtuar për një zgjidhje sistematike që do të zbatohet për ta organizuar punën e bankave në pagesat e radhës të pensioneve dhe asistencës sociale, procesi të zhvillohet në mënyrë më efikase dhe pa probleme si në ditët e kaluara”, thuhet në deklaratë.
Qytetarët që janë shfrytëzues të pensionit dhe asistencës sociale, përpara pagesave të ardhshme, do të njoftohen me kohë për organizimin e punës së bankave.
“Ne bëjmë apel gjatë periudhës së ardhshme, të gjithë qytetarët t’i zbatojnë rekomandimet për përdorimin e duhur të shërbimeve bankare pa e rrezikuar shëndetin publik”, thuhet në kumtesën nga kabineti i Guvernatorit të Bankës Popullore.



