Bojkot apo pjesëmarrje? Vuçiç flet pas konsultimeve me Ramën dhe Kovaçevskin për Samitin e BE-së: Nesër në mesditë marrim vendim

Bojkot apo pjesëmarrje? Vuçiç flet pas konsultimeve me Ramën dhe Kovaçevskin për Samitin e BE-së: Nesër në mesditë marrim vendim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bisedoi mëngjesin e kësaj të marte përmes një video-konference me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në lidhje me vendimin nëse do të marrin pjesë apo jo në Samitin e 23 Qershorit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel.

rama vucic 5
Mediat serbe B92 shkruan se përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut po mendojnë të mos shkojnë në Samit për shkak të trajtimit të BE-së ndaj tyre.

Ndërkohë që shton se, Presidenti Vuçiç dhe kryeministri i Edi Rama duan të solidarizohen, ndaj vendimin do ta shpallin ditën e nesërme.

Para vendimit përfundimtar, Vuçiç, Rama dhe kryeministri maqedonas Dimitri Kovaçevski do të bisedojnë edhe një herë për të arritur konsensusin mes tyre.

Vuçiç deklaroi në llogarinë e tij në Instagram, se tre liderët e tre vendeve janë pajtuar që pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët respektivë, që nesër në mesditë ta shpallin vendimin nëse do të marrin pjesë në Samitin e 23 qershorit.

“Unë fola me kryeministrin Rama dhe Dimitar Kovachevskin këtë mëngjes për samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Ne ramë dakord që, pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, do ta shpallim vendimin nesër në mesditë nëse do të marrim pjesë në këtë takim. Ne gjithashtu shkëmbyem mendime mbi hapat e ardhshëm të nismës sonë Open Balkan – Wine Fair, i cili do të mbledhë verëbërësit më të mirë nga rajoni, si dhe takimin e radhës për të diskutuar një sërë çështjesh me interes për qytetarët tanë dhe për të krijuar lidhje më të mira. “, shkroi Vuçiç.

Ndërkohë që kryeministri Maqedonisë së Veriut shkroi: “Përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor, sot zhvilluam një takim të jashtëzakonshëm për Ballkanin e Hapur së bashku me kolegët e mi Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama. Diskutuam për pozicionet kombëtare të secilit vend, perspektivat rajonale dhe dinamikën e procesit të integrimit europian. Pas konsultimeve të brendshme shtesë nesër në mëngjes, do të marrim një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen tonë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Po diskutojmë disa tema të rëndësishme për rajonin dhe kemi nisur një iniciativë për Agjencinë për Tërheqjen e Investimeve në Ballkanin e Hapur, e cili do të mundësojë zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Tema ishte Panairi i ardhshëm i Ushqimit, Verës dhe Turizmit që do të mbahet në Beograd, si dhe disa tema të tjera që dolën nga samiti i fundit Open Balkans në Ohër”