Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj refuzimit të vazhdueshëm për lejimin e intervistave mediatike me kreun e kësaj force politike, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim në IEVP “Jordan Misja”.
Sipas Blushit, bllokimi i kërkesave të gazetarëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pavarësisht miratimit nga SPAK, përbën një akt të qartë censure dhe shkelje të rëndë të ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ai thekson se kjo situatë nuk është thjesht proceduriale, por një sjellje e qëllimshme për të izoluar politikisht Metën dhe për të kontrolluar informacionin që i shkon publikut. “Kur mohohet e drejta për komunikim me median, kemi të bëjmë me censurë të mirëfilltë dhe persekutim politik”, shprehet Blushi.
Në vijim shkrimi i plotë i Blushit:
𝐏𝐞𝐫𝐬𝐞𝐤𝐮𝐭𝐢𝐦𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐢𝐳𝐨𝐥𝐢𝐦𝐢 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐭𝐢𝐤 𝐢 𝐈𝐥𝐢𝐫 𝐌𝐞𝐭𝐞̈𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐤𝐨𝐧𝐭𝐫𝐚𝐬𝐭𝐢 𝐦𝐞 𝐌𝐚𝐪𝐞𝐝𝐨𝐧𝐢𝐧𝐞̈ 𝐞 𝐕𝐞𝐫𝐢𝐮𝐭
Refuzimi i përsëritur dhe i qëllimshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për t’u lejuar gazetarëve intervistimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, në IEVP “Jordan Misja”, nuk përbën thjesht një shkelje administrative.
Është një akt i qartë censure, shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, një mekanizëm represioni dhe një formë e pastër persekutimi politik.
Edhe pse kërkesat e shumë gazetarëve janë miratuar nga SPAK, ato bllokohen arbitrarisht nga Drejtoria e Burgjeve, në kundërshtim të hapur me ligjin, Kushtetutën, KEDNJ dhe në shpërfillje të rekomandimeve zyrtare dhe publike të Avokatit të Popullit.
Pra vetë subjekti i interesuar më shumë për të patur izolim (SPAK) i jep lejet për intervistë, ndërsa subjekti që duhet ta respektojë lejen (Drejtoria e Burgjeve) nuk pyet për miratimin e kërkesave nga prokurorët.
Fiks siç thotë populli “më i rëndë bishti se sqepari”.
Kjo ndodh sepse dihet që Drejtori suprem i Burgjeve është vetë, Edi Rama.
Refuzimi i Drejtorisë së Burgjeve për të respektuar kërkesat e gazetarëve dhe lejen që ata kanë marrë nga SPAK për intervistë me Z. Meta, nuk është një problem procedurial, por një sjellje e qëllimshme antiligjore dhe antikushtetuese institucionale që synon izolimin ekstrem politik të një lideri opozitar dhe kontrollin e plotë të informacionit që i shkon publikut.
Në një shtet demokratik, e drejta e të paraburgosurve për të komunikuar me median është standard i garantuar dhe i rregulluar me ligj, jo një privilegj që jepet ose hiqet sipas interesave politike. Kur kjo e drejtë mohohet, nuk kemi më të bëjmë me kufizim, por me censurë të mirëfilltë dhe persekutimin politik.
Paradoksi bëhet edhe më i fortë kur krahasimi shtrihet përtej kufijve. Në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut, gazetarët kanë akses për të intervistuar të paraburgosurit dhe për të dokumentuar me pamje filmike brenda qelive, kushtet e tyre (𝐒𝐡𝐢𝐡 𝐯𝐢𝐝𝐞𝐨𝐧 𝐦𝐞̈ 𝐩𝐨𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 👇).
Ndërsa në Shqipëri, ky standard elementar demokratik është përmbysur, duke e kthyer persekutimin politik dhe censurën në normë, ndërsa respektimin e Kushtetutës dhe transparencën në tabu.
Edhe në vendet më autokratike të botës, si në Rusinë e Putinit, kjo e drejtë nuk u mohohet kundërshtarëve të tij politikë në burgjet më të largëta të Siberisë.
(𝐒𝐡𝐢𝐡 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐫𝐯𝐢𝐬𝐭𝐚𝐭 𝐞 𝐀𝐥𝐞𝐱𝐞𝐢 𝐍𝐚𝐯𝐚𝐥𝐧𝐲 𝐝𝐡𝐞 𝐌𝐢𝐤𝐡𝐚𝐢𝐥 𝐊𝐡𝐨𝐝𝐨𝐫𝐤𝐨𝐯𝐬𝐤𝐲:
👉 https://www.youtube.com/shorts/OkDfPcc6vWo
👉 https://youtu.be/8nOe6TlVz2k?si=4zkz65pwKihgcbyi )
Në emër të Partisë së Lirisë, dënojmë me forcë këtë praktikë kriminale dhe kërkojmë garantimin pa asnjë pengesë të së drejtës themelore njerëzore dhe politike të Presidentit Meta për të komunikuar me publikun përmes mediave.
Kushdo që shpërdoron me qëllim detyrën, për të cilët kemi bërë edhe kallëzim penal, shumë shpejt do të përgjigjet para ligjit.


