Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) janë vënë re këtë të shtunë në qytetin e Elbasanit dhe Librazhdit, ku do jenë prezent deri më 11 Maj në kuadër të një operacioni të gjerë për monitorimin e fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare.
Në paraditen e kësaj fundjave, një takim pune është zhvilluar në Elbasan me Drejtorin e Policisë Vendore të Elbasanit, Fatmir Hoxha, dhe Kreshnik Ajazi, Drejtor i Prokurorisë në këtë qytet. Pas takimit, grupi i agjentëve dhe prokurorëve është parë në një lokal të njohur në qytet.
Pas Elbasanit, grupi ka vijuar punën në Librazhd, ku kanë zhvilluar një tjetër takim me shefat e komisariatit të këtij qyteti. Kjo prani e shtuar e BKH dhe SPAK, në bashkëpunim me SHISH, OSBE dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare, është pjesë e përpjekjeve për të siguruar një proces zgjedhor të pastër dhe pa ndikim të faktorëve kriminalë apo politikë.
Monitorimi i fushatës elektorale përfshin hetime mbi përdorimin e burimeve publike për qëllime elektorale, abuzimin me administratën, ndikimin e krimit të organizuar dhe blerjen e votave. Çdo kandidat që shkel ligjin gjatë këtij procesi mund të përballet me ndjekje penale dhe humbjen e mandatit.
Gjithashtu, BKH dhe SPAK janë të angazhuar për të monitoruar dhe ndaluar përhapjen e lajmeve të rreme, që mund të dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor. Një rast i fundit nga Librazhdi, i cili pretendonte një akt dhune, rezultoi të ishte një sajesë, dhe hetimet kanë nisur për ndjekjen e personave përgjegjës për përhapjen e dezinformimit.