Këshilltari i Albin Kurtit, Bekim Qoku ka reaguar pas vendosjes së kryqit në Kodrën e Diellit në Tetovë, transmeton Almakos.
Ai, ndërmjet tjerash ka theksuar se kryqi edhe sikur të kishte leje, por nuk do ta miratonte komuniteti shumicë jo krishtere, nuk duhej ngritur.
“ Vendosja e një simboli fetar, i kujtdo qoftë feje, në mënyrë ilegale, klandestine në një zonë me popullatë të përzier nuk është kurrgjë tjetër përveçse nxitje urrejtjeje dhe tensionesh të panevojshme ndërfetare dhe ndëretnike.
Nuk e di se çfarë është thënë deri tani, por kryqi i madh që është vendosur në Kodrën e Diellit në Komunën e Tetovës me shumicë shqiptare dhe myslimane, edhe sikur të ishte me leje të rregullt ndërtimi, por të mos kishte miratimin e komunitetit jo të krishterë, ai s’duhej ngritur në asnjë mënyrë.
Andaj, më shumë se shqiptarët myslimanë, heqjen e tij duhet ta kërkonte komuniteti sllavo-ortodoks i Maqedonisë. Një simbol fetar që nxit urrejtje apo tensione, që mallkohet në vend se të bekohet, ai nuk kryen rolin e vet shenjtëror dhe detyrimisht duhet larguar një orë e më parë.”, shkruan Qoku.