Bekim Fazliu, kandidat i PDSH-së, për Qytetin e Shkupit, tha se me kandidimin e tyre për qytetin e Shkupit dëshirojnë të demaskojnë pazarin që po bën BDI me shqiptarët e Shkupit vetëm me qëllim që të mbroj krimin dhe korrupsionin në komunat që udhëhiqen nga kjo parti. Ai tha se LSDM dhe VMRO-DPMNE janë të njëjtë, ndërsa shtoi se për deshqiptarizimin e Shkupit më së tepërmi ka ndihmuar BDI.
“Ata u kanë mundësuar shkatërrimin dhe ndryshimin e identiteti shqiptar në Shkup. Pa ndihmën e BDI-së, ata nuk do të mund t’i zbatonin projektet e tyre në dëm të shqiptarëve. Vetëm një shembull, në vendin e Burmali Xhamisë, sot ndërtohet Shtëpia e Armatës. Është quajtur Shtëpia e qytetit, por paraqet kopje të Shtëpisë së Armatës”, tha Fazliu në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA.
Ai shtoi se BDI dëshiron që nëpërmjet LSDM-së të ruaj komunat e Çairit dhe Sarajit por tha se në fund shqiptarët janë ata që do të votojnë dhe jo LSDM.

