Bashkimi Demokratik për Integrim ka vijuar me ciklin e press konferencave me titullin “Një Vit Pa Dinjitet.”
“Një titull që fatkeqësisht reflekton realitetin e hidhur të këtij njëviti qeverisës: një vit pa barazi, pa përfaqësim të drejtë dhe pa respekt institucional ndaj shqiptarëve dhe vlerave themelore të bashkëjetesës në këtë shtet, për të cilat jemi zotuar si shoqëri dhe si shtet multietnik”, tha deputetja Rina Ajdari nga BDI.
Nga BDI sot reaguan për siç thonë ata, shtypjen institucionale që po ndodh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes — në zemrën e institucioneve që kanë për detyrë të garantojnë rendin, drejtësinë dhe barazinë për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Ka një vend ku padrejtësia nuk duhet të ketë vend.
Ka një fushë ku barazia nuk është luks, por domosdoshmëri.
Ky vend është siguria e shtetit.
Por, për fat të keq, ajo që po ndodh sot është e kundërta.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, zëvendësministri shqiptar është i injoruar, i margjinalizuar, sikur të mos ekzistojë fare. Në rastin e Koçanit, as që u pa. Zëvendësdrejtori shqiptar i Byrosë për Siguri Publike dha dorëheqje për shkak të mospërfilljes sistematike.
Ndihmësministrat shqiptarë janë zëvendësuar nga kuadro të OBRM-PDUKM-së. Ndërkohë, një polic që përdhosi flamurin shqiptar nuk u ndëshkua, por përkundrazi – u avancua.
Skandali që turpëroi shtetin ndodhi në Aeroportin e Shkupit, ku ndaj Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, u shkel çdo protokoll ndërkombëtar dhe kombëtar i sigurisë.
Në Presidencën e shtetit, nuk ka asnjë këshilltar shqiptar për çështje të sigurisë. I vetmi shqiptar në Këshillin për Siguri është një figurë që publikisht ka akuzuar UÇK-në për krime. Në Agjencinë për Zbulim – drejtori dhe zëvendësdrejtori janë maqedonas. Nuk ka asnjë këshilltar special shqiptar.
Në Armatën e Republikës, Gjeneral Besnik Emini – më i kualifikuari për Shef të Shtabit Gjeneral – anashkalohet. Një tjetër ngjitet brenda natës për dy grada dhe emërohet nga Presidentja. Ndërsa gjenerali Emini degradohet dhe zhvendoset në administratë.
Në Ministrinë e Mbrojtjes, shërbimi ushtarak për inteligjencë, që ishte në duart e një profesionisti shqiptar, i kalon kuadrove maqedonase. Sot, asnjë nga tre zëvendësdrejtorat nuk është shqiptar. Asnjë ndihmësministër shqiptar. Në punësime të reja – 120 maqedonas dhe vetëm 14 shqiptarë.
Në Agjencinë për Siguri Kombëtare, që nga nëntori i vitit 2024 nuk ka më zëvendësdrejtor shqiptar. Ndërkohë, mbi 100 të punësuar rishtas – pothuajse asnjë shqiptar.
Të gjitha këto nuk janë raste të izoluara. Kemi të bëjmë me një plan të qartë: një përpjekje të organizuar për të zhveshur shqiptarët nga çdo rol kyç në siguri, në mbrojtje dhe në presidencë.
Por një gjë duhet ta dinë të gjithë: ne nuk do të heshtim. Sepse siguria është për të gjithë. Barazia është e panegociueshme”, reaguan nga BDI.