Çështja e djegies së makinës së zëvendëskryeministrit Artan Grubi është folur edhe në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, BDI, e cila u mblodh në Tetovë, ku u folën edhe çështje të tjera. Zëdhënësi i integristëve Bujar Osmani, tha se kryetari Ali Ahmeti para Këshillit ka dhënë raport për ekzistimin e të ashtuquajturës “qendër hibride politiko-ekonomike”, e cila siç tha Osmani, është krijuar në vendin tonë nga qendra politike partiake, si dhe nga qendra ekonomike dhe të biznesit, të cilët vlerësojnë se barazia dhe humbja e monopoleve etnike është kërcënim për shtetin dhe me çdo kusht tentojnë të bëjnë dëm kryesisht ndaj BDI-së, me idenë se, siç u shpreh Osmani, po e dëmtuan BDI-në dhe Ali Ahmetin, do e pamundësojnë humbjen e monopoleve etnike.
Qendra hibride politiko-ekonomike ka të bëjë më tepër me krijimin e frikës nga barazia, këtë e quajmë ne, është frikë nga barazia etnike, barazia politike, barazia ekonomike, duke tentuar që në çdo mënyrë të pengojnë procesin e barazisë së plotë në vend. Në kuadër të këtij debati të sulmeve ndaj BDI-së, natyrisht se u diskutua edhe sulmi ndaj zëvendëskryeministrit Grubi. Këshilli i Përgjithshëm e dënoi njëzëri, kërkoi që organet e hetuesisë që të zbardhin sa më shpejtë këtë rast”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënësi i BDI-së.