Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 21 vjeçarin, i cili ka si partnere një vajzë të mitur 14 vjeçe që disa ditë më parë lindi fëmijën e tyre.
Dritson Kurti u arrestua 4 ditë më parë pasi e mitura solli në jetë foshnjën e tyre në maternitetin e Korçës.
21 vjeçari akuzohet për veprën penale “marrëdhënie seksuale me të mitur”, neni 100, i dënueshëm deri në 15 vite burg.
Familjarët kanë kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se komuniteti i tyre ka zakon martesat në moshë të vogël, e se në fakt lidhja e tyre është bërë me pranimin e prindërve të 14 vjeçares.
Kujtojmë se prej një viti e mitura dhe Kurti banonin në banesën e këtij të fundit, së bashku me gjyshen e tij.
Në një deklaratë për mediat, e mitura u shpreh se “Ai s’më ka marrë me zor! Unë s’kam si të jetoj, unë vetëm atë kam, një krah pune kisha”.
14-vjeçarja: Kam një vit që njihem me bashkëshortin. Jemi njohur ne Elbasan. Ju thashë dje prindërve të mi. Ata ranë dakord.
Kam një fëmijë përse ta arrestojnë. Ai s’më ka marrë me zor. Dua që të lirohet burri im, kush do më ushqejë mua po fëmijën tim?! Dua të ma lironi që sot. Unë s’kam si të jetoj, unë vetëm atë kam, një krah pune kisha.
Punonte ai që më sillte për të ngrënë më shtëpi. Punonte dy punë edhe ditën edhe natën për të më sjellë bukë në shtëpi. Dua të ma lirojnë. Më kanë ardhur mami me babin nga Miloti, unë s’kam dhënë asnjë deklaratë në polici, por që dje jam njoftuar për burrin që e kam në polici.
Kujtojmë se arrestimi i 21-vjeçarit erdhi pasi një 14-vjeçarje ka sjellë në jetën foshnjën e saj në maternitetin e Korçës ditën e djeshme.
Pas deklarimeve, 21-vjeçari ka pranuar që është babai i fëmijës.
“Komisariati i Policisë Korçë ndaloi me iniciativë shtetasin D. K., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, pasi dje në maternitetin e qytetit Korçë, ka lindur një fëmijë, një 14-vjeçare. Pas deklarimeve të marra nga Specialistët për Hetimin e Krimit 21-vjeçari ka pranuar që është babai i fëmijës”, njoftoi policia.