Alsat 2019-07-05T17:55:50+02:00
Banorët e fshatit Poroj të Tetovës kanë humbur shpresat nga pushteti lokal dhe ai qendror për zgjidhjen e problemit të digave për mbrojtje nga vërshimet. As kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe as kryeministri Zaev nuk përmbushën premtimet për përmirësimin e infrastrukturës në këtë fshat.
“Ata premtojnë shumë, por punë pak bëjnë. Vetëm vijnë e shikojnë shkruajnë veç karshi popullit t’duken por send s’është bë. Kjo është e lënë pas dore shumë, prej partive politike, prej Qeverisë, prej krejtve. Këtu s`kanë punuar asgjë, në këtë fshat kontributin e kanë dhënë gjithnjë fshatarët vetë si për ujin si për rrugët e tjera”.
“Ka qenë kryeministri, ka qenë kryetarja e komunës, kanë premtu premtime të mëdha, por në fakt nuk është bë asgjë. Pas premtimeve të fundit të kryeministrit Zoran Zaev që u harruan, s`kemi më shpresa se do bëhet gjë”.
Për lënien pas dore të këtij rajoni kanë reaguar edhe Lëvizja Besa.
Pas vërshimeve të fundit që përmbytën Porojin, kryeministri Zoran Zaev tha se do intervenohet menjëherë dhe se viti 2018, do jetë vit i punës dhe investimeve por për fat të keq kjo nuk ndodhi sikurse u paralajmërua. Banorët e Porojit nuk kërkojnë mëshirë nga autoritetet lokale dhe qendrore, por të merren me zgjidhjen e problemit. Lëvizja BESA iu bën thirrje autoriteteve shtetërore kryeministrit, ministrave dhe kryetares së komunës, që të mos merren me investime kozmetike por me investime rrënjësore që të bëjnë përmirësimin real të gjendjes si në Poroj dhe më gjerë”, tha Basri Memedalia, Lëvizja Besa.
Nga Komuna e Tetovës pranojnë se fshati Poroj ka nevojë për investim serioz megjithatë arsyetohen me mungesë fondesh.
Në fshat Poroj bisedohet për investim më serioz, të cilin komuna vetë nuk ka buxhet të mjaftueshëm pa ta bërë dhe kërkohet intervenim me investime edhe nga ana e Qeverisë”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Fshati Poroj nuk ka problem të vetëm lumin, por në këtë vendbanim ende nuk është rregulluar çështja e sistemit të ujit të pijshëm, ndërsa nuk janë kryer në tërësi edhe pas afro pesë vitesh, dëmshpërblimet e tokës së dëmtuar bujqësore nga vërshimet e vitit 2015.
Bashkim Sulejmani
Loading…



