Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Qeveria po e menaxhon procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për bizneset vendore dhe qytetarët e zakonshëm.
Sipas saj, vetëm gjatë ditës së djeshme disa deputetë të Vetëvendosjes kanë mbledhur përfaqësues të odave dhe shoqatave të biznesit për të diskutuar rreth rritjes së çmimeve të energjisë, që kanë shkuar deri në 260% për rreth 1300 biznese.
“Kërkesa e bizneseve është e thjeshtë – të shtyhet për një vit vendimi për liberalizim të tregut të energjisë. Kaq,” ka deklaruar Bajrami përmes një reagimi në Facebook.
Megjithatë, ajo kritikon që në vend të adresimit të kësaj kërkese konkrete ministrat kanë ofruar zgjidhje që ajo i cilëson si absurde.
“Merreni me mend: një metal përpunuesi te i cili rryma është 30% e kostos së prodhimit, këta i thonë ta izolojë ndërtesën dhe të ndihmojnë me vokë ujin. Kaq dinë ose kaq mund të thonë, pasi veç prioritet prodhimin vendor nuk e kanë” shtoi ajo.
Deputetja Bajrami kritikoi po ashtu mënyrën si Qeveria i trajton bizneset tregtare, duke thënë se ata justifikohen me faktin se nuk subvencionojnë “korporata që fitojnë qindra miliona euro”, pa kuptuar se ndikimi real do ta bartin qytetarët me të ardhura të ulëta.
“Çmimet do të rriten, e do të rriten çmimet e produkteve që shiten më së shumti – do të rriten çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm, por as për qytetarët këta nuk mërziten” theksoi ajo.
Bajrami akuzoi Qeverinë për përkrahje të të ashtuquajturës “mafi energjetike”, duke përmendur se edhe Albin Kurti, para se të bëhej kryeministër kishte folur për këtë rrjet.
“Nga ‘duaje tënden’ në ‘shkatërro tënden dhe blej nga importi’, metamorfozë si kjo e LVV-së nuk e njeh historia e re politike e Kosovës,” tha Bajrami.
Ajo përmendi gjithashtu se gjatë qeverisjes së Kurtit, deficiti tregtar ka arritur në 19 miliardë euro, ndërsa nga viti 2001 deri në 2021 deficiti total ishte 38 miliardë euro.
Në fund, Bajrami bëri të ditur se të martën në ora 14:00, janë ftuar shoqatat e biznesit, ZRRE, Autoriteti i Konkurrencës dhe KESCO në një takim për të diskutuar situatën.