Kuvendi i Maqedonisë në seancën e djeshme nuk ka miratuar masat që gjenden në Raportin e Avokatit të Popullit, me të cilat sugjerohet që në shumë sfera të përmirësohet jeta e qytetarëve. Me këtë rast, Avokati i Popullit Ixhet Memeti, u shpreh i zhgënjyer nga kjo sjellje e deputetëve, të cilët, tha ai, edhe pse ka pasur shumicën e nevojshme, sërish nuk kanë miratuar masat e propozuara.
IXHET MEMETI, AVOKAT I POPULLIT
“Kuvendi nuk miratoi masa që Qeveria të përmirësojë gjendjet në fusha të ndryshme sa i përket të drejtave dhe lirive të njeriut. Edhe pse me ligjin e ri për Avokatin e Popullit, Kuvendi është i obliguar të miratojë masa kurse Qeveria ka obligim pas gjashtë muaj të referon në Kuvend, se në çfarë mase ata masa i ka realizuar”
Masat e propozuara prekin shumë sfera, nga ajo e policisë ku kërkohet heqja nga përdorimi i plumbave të gomës dhe paralizatorit elektrik, në sferën e drejtësisë të ndryshohet Ligji për ndihmë juridike falas dhe Ligjit për noteriat, të përmirësohen kushtet në burgjet, përmbaruesit të mos kenë të drejtë të bllokojnë xhirollogari të qytetarëve dhe shumë masa tjera.
IXHET MEMETI, AVOKATI I POPULLIT
“Këta masa do t’i shndërrojë në masa të Avokatit të Popullit dhe do t’ja drejtoj Qeverisë dhe do të kërkoj publikisht që ajo, konform ligjit të ri, t’i pranon si të tilla, të debaton për ta, të angazhon organet e administratës që t’i realizojnë. Pas gjashtë muajve të njoftoj Avokatin e Popullit deri ku është çështja me realizimin e këtyre masave”
Avokati i Popullit, Ixhet Memeti tha se sot ka zhvilluar një takim me deputetët e LSDM-së, VMRO-së dhe BDI-së, të cilët, siç tha ai, i kanë thënë se janë të vetëdijshëm se masat është dashur të kalojnë. Enis Murtezi /SHENJA/

