“Personat që kandidojnë për patentë shoferi humbin kohë dhe para nga kompania që bën testimin”. Kështu thonë pronarët e auto-shkollave, sipas të cilëve mungesa e konkurrencës së qendrave testuese, ka bërë që çmimi të trefishohet dhe të tejzgjatet koha për të hyrë në provim. Ata kërkojnë që hapen së paku edhe dy kompani të qendrave të testimit për të thyer monopolin e kompanisë së vetme testuese “AMSM”.
Së pari çmimi i provimeve në vend se me qenë më i real, është trefishuar. Në provime, edhe pse kandidatët e meritojnë që në të parën herë ta kalojnë, duke pasur parasysh është bërë monopol, dihet se çka ndodhë, nuk jepet me të parën herë edhe nëse kandidati e meriton, por shtyhet 3 ose 4, ka ndodhur edhe 7 herë të përsëritet provimi. “Unë kisha propozuar që të formohet komision që të shqyrtohet kjo çështje. Propozimi im për të ardhmen është që të ketë dy ose tre qendra që të ketë konkurencë për çmime- tha Jashar Hidra, pronar i autoshkollës “Hidra”.
300 mijë banorët që gravitojnë në Komunën e Tetovës kanë vetëm një qendër testimi. Pronari i auto-shkollës “Zebra” Ali Alili thotë se kjo qendër nuk i plotëson kushtet dhe se kandidatët humbin deri në 2 muaj kohë për t’i testuar aftësitë e ngasjes. Drejtuesit e auto shkollave kërkojnë ndryshime në ligjin për siguri në komunikacion që të përfshihen edhe kërkesat e tyre që lehtësojnë kohën, koston dhe procedurat tjera për pajisjen e qytetarëve me patentë shoferi
Në këtë kohë, në këtë periudhë, të pret një kandidat për ta marrë lejen një muaj deri në një muaj e gjysmë, për testim, poligon dhe vozitje në qytet, është me të vërtetë absurde.“Ky ligj ekzistues është monopol, nuk është e drejtë që të ketë një qendër testuese në Tetovë kur ky qytet ka afro 300 mijë banorë dhe nuk mund t’i plotësoj kushtet- tha Ali Alili, pronar i auto-shkollës “Zebra”.
TV-Alsat adresoi disa pyetje deri tek udhëheqësia e AMSM-së. Edhe pse të enjten na u premtua se në këto pyetje, para kamerës tonë do të përgjigjej drejtori i kësaj kompanie, deri më sot nuk kemi asnjë përgjigje. Sipas alineës 1 të nenit 244, të ligjit për Siguri në Komunikacion, qendra e testimit është e obliguar që të ketë kuadër profesional, të ketë hapësira të monitoruara me kamera dhe poligon të vetë ose të marrë me qira.
Besian Leka

