Detaje tronditëse janë zbuluar nga rezultatet paraprake të autopsisë së trupit të Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare që u vra mizorisht nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, më 25 mars, dita kur ajo u shpall e zhdukur.
Sipas të dhënave mjeko-ligjore, në trupin e studentes janë konstatuar mavijosje, gërvishtje dhe thonj të thyer – të gjitha shenja që sugjerojnë se ajo është përballur me një sulm të dhunshëm fizik përpara goditjes fatale me thikë në qafë. Trupi i saj u gjet më 2 prill, i futur në një valixhe dhe i hedhur në një zonë shkëmbore në fshatin Monti Prenestini, pranë komunës së Tivolit, në periferi të Romës.
Ishte vetë autori i krimit, 23-vjeçari Mark Samson, që zbuloi vendndodhjen e trupit gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet italiane.
Gazeta italiane Corriere della Sera raporton se rezultatet e autopsisë iu treguan edhe vetë Samson, i cili mohoi të kishte ushtruar dhunë fizike ndaj Ilarias përpara se ta godiste me thikë, duke u përgjigjur thjesht me një “Jo” kur u pyet për këtë nga prokurorja Antonella Minnuni.
Rezultatet e testeve
Megjithatë, autopsia duket se mohon deklaratat e Samsonit.
“Një hematomë e madhe, gjithsesi një plagë që i atribuohet një goditjeje të marrë në vetullën e majtë, nga një grusht apo ndonjë send (i pari më shumë gjasa)…”, thotë prokurorja Maria Perna, duke cituar rezultatet e autopsisë së kryer.
“Një goditje tjetër në sy, një në buzë dhe gërvishtje të vogla në qafë, jo nga mbytja, por sikur të kishte pasur një përleshje… pastaj plagët me thikë… ka tre në qafë plus katër në faqe, plus plagë të tjera. Ajo gjithashtu kishte shenja në parakrahun e djathtë dhe thonj të thyer në dorën e majtë”.
Përpjekjet për të mbrojtur veten
Nga konstatimet e mjekësisë ligjore duket se Ilaria Sula u përpoq të mbrohej nga agresioni i ish-të dashurit të saj, ndoshta një tentativë për sulm seksual.
Këtë e dëshmojnë gërvishtjet, goditjet në krahë dhe thonjtë e thyer.
“Ndoshta ajo u përplas kur u rrëzua”, thotë Mark Samson, por prokurori nuk e beson këtë shpjegim.
Për më tepër, nuk do të ishte i besueshëm as versioni i djalit sipas të cilit viktima kishte shkuar në shtëpinë e Samsonit për një takim paqësor dhe më pas kishte qëndruar gjatë natës në shtëpinë e tij.
Sipas hetuesve, Ilaria Sula ishte paraqitur në shtëpinë e Mark Samson për ta pyetur se si kishte guxuar t’i kontrollonte kompjuterin e saj në mungesë të saj, dhe nga këtu edhe argumenti që çoi në vrasjen e 22-vjeçares. Prandaj, vdekja do të datonte në mbrëmjen e 25 marsit dhe jo në mëngjesin e datës 26, siç deklaroi Samsoni.