Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka vlerësuar luftëtari e çetës së Çerçiz e Bajo Topullit, Seit Skënderi (Frashëri) me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Presidenti Meta theksoi se vepra e tij, si e të gjithë luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjve, në mbrojtje të pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë do të mbetet gjithmonë frymëzues.
“Zona e Dangëllisë, dhe kryeqendra e saj, Frashëri mbartin prej shekujsh, traditat dhe vlerat më të larta kombëtare. Nuk është rastësi që nga kjo trevë e patriotizmit dhe kulturës kanë dalë burra të jashtëzakonshëm, të mençur e trima, të penës e të dijes, por edhe të pushkës, si i paharruari Seit bej Frashëri, luftëtari trim i çetës së Çerçiz e Bajo Topullit.
Në vlerësim të kontributit të tij si atdhetar dhe luftëtar trim me armë në dorë, që në moshë të re, si në luftën ndaj hordhive osmane, greke e malazeze, ashtu edhe për mbrojtjen e delegatëve të Kongresit të Lushnjës, duke ia kushtuar gjithë jetën çështjes së madhe të mbrojtjes së Atdheut, pata nderin ta vlerësoj Seit Skënderi (Frashëri) me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Vepra e Tij, si e të gjithë luftëtarëve atdhetarë, Dëshmorëve dhe Heronjve, në mbrojtje të Pavarësisë, Integritetit dhe Sovranitetit të Shqipërisë do të mbetet përherë frymëzuese.”, u shpreh Meta.








