Asociacioni Qytetar MOST do t’i vëzhgojë zgjedhjet lokale me më shumë se 2.500 vëzhgues prej të cilëve 2.100 do të jenë statikë. Në konferencë për mediat, nga Asociacioni MOST thanë se vëzhguesit statikë do të mbulojnë rreth 50 për qind të vendvotimeve në vend, ndërsa gjatë gjithë ditës do ta ndjekin procesin e votimit në vendvotime. Drejtori Ekzekutiv, Darko Aleksov tha se Asociacioni MOST do të ketë edhe 120 ekipe mobile, të përbëra prej dy vëzhguesve, që do të shërbejnë për mbështetje logjistike për vëzhguesit statik dhe do t’i vëzhgojnë kohë pas kohe vendvotimet ku MOST nuk ka përcaktuar vëzhgues statik.
DARKO ALEKSOV, ASOCIACIONI MOST
“Në mënyarë shtesë, 81 vëzhgues do ta vëzhgojnë punën e komisioneve komunale zgjedhore dhe komisionit zgjedhor të qytetit të Shkupit, ndërsa do të vëzhgohet edhe puna e Komisionit Shtetëror Zgjedhor”.
Përveç votimit në 15 tetor, MOST sot do t’a vëzhgojë edhe votimin e parakohshëm të personave të sëmurë dhe të paaftë, personave të shpërngulur brenda vendit dhe personat në burg ose në paraburgim.
DARKO ALEKSOV, ASOCIACIONI MOST
“Gjatë ditës, për qytetarët të cilët dëshirojnë të paraqesin parregullsi eventuale ose të japin informata lidhur me procesin zgjedhor, mund ta bëjnë këtë përmes linjës telefonike pa pagesë 080 080 080 ose përmes internet platformës interaktive neregularnosti.most.org.mk”.
Nga MOST apelojnë për mbajtjen e procesit zgjedhor korrekt, demokratik dhe të qetë. Shenjat dalluese të vëzhguesve të këtij asociacioni këtë vit dallojnë nga ato të viteve të kaluara. MOST thekson që vëzhgues i kësaj organizate është vetëm ai qytetar i cili mban bluzë, autorizim dhe akreditim vetëm për këto zgjedhje. Të gjitha informacionet e verifikuara nga vëzhgimi në ditën e zgjedhjeve, MOST do t’i komunikojë në katër konferenca për media, që do të mbahen në ora 9:30, 13:30, 17:30 dhe 20:30.

