Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka vlerësuar se rezultatet e fundit të analizave mikrobiologjike të ujit nga katër pika në Gostivar tregojnë përmirësim të situatës dhe një proces gradual të stabilizimit.
Përmes një komunikate, ASH u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’u përmbahen rekomandimeve të institucioneve kompetente dhe informacionet t’i marrin vetëm nga burimet zyrtare.
“Shqetësimi i qytetarëve është plotësisht i kuptueshëm dhe i drejtë, por në këtë moment nevojiten qetësi, maturi dhe bashkëpunim deri në përfundimin e të gjitha analizave dhe procedurave përkatëse”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga ASH theksojnë se nuk duhet të ketë gjykime të nxituara, etiketime apo akuza para se institucionet profesionale të përfundojnë punën e tyre. Njëkohësisht, kanë apeluar për ndaljen e gjuhës ofenduese dhe përçarëse, duke vlerësuar se çështjet që lidhen me shëndetin publik duhet të jenë faktor bashkimi dhe jo përplasjeje politike.
Sipas tyre, Shtabi i Krizës po i kryen detyrat e tij, ndërsa Komuna e Gostivarit ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet për menaxhimin e situatës dhe për t’u ofruar ndihmë qytetarëve.
ASH ka vlerësuar gjithashtu si të rëndësishme përfshirjen dhe mbështetjen e Qeverisë dhe institucioneve qendrore në përballimin e kësaj situate.
MARKETING



