Seanca për rastin “Sopoti” u anulua me kërkesë të avokatëve për shkak të ndryshimit që u bë në trupin gjykues dhe shkaku që rasti tashmë është në duar të Prokurorisë Speciale. Avokatët kërkuan kohë të shkurtë për tu njoftuar me akuzën tashmë të freskuar nga PSP në mënyrë që të bëhet mbrojtje më efektive.
VULLNET PAÇUKU, AVOKAT
“Është një rast i cili shpresoj dhe mendoj se do të studiohet nga kolegët tanë në fakultetin e drejtësisë. Kjo pasi pa prova, tërë kohën janë akuzuar persona krejtësisht të pafajshëm, persona që deri tani kanë vuajtur afro 40 vite burg, në një proces gjyqësor i cili zgjat rreth 15 vite. Është një rast eklatant”
Gjykatësja e re e këtij rasti, Diana Gruevska Ilievska dha kohë prej nëntë ditësh për të patur qasje deri tek provat dhe akuza dhe pastaj në seancën e ardhshme do duhet të deklarohet dëshmitari Ramadan Bajrami dhe persona të tjerë që dinë elemente të kësaj ndodhie dhe ka gjasa të thirren edhe Sasho Mijallkov me Gordana Jankullovskën të cilët u dëgjuan në bisedat e përgjuara telefonike.
VULLNET PAÇUKU, AVOKAT
“Patjetër që do të jetë Ramadan Bajrami. Patjetër që do të jenë të gjithë ata të cilët si dëshmitarë okularë janë dëgjuar në seancat paraprake dhe që vërtetonin se këta të akuzuar asnjëherë nuk kanë qenë pjesëmarrës në këtë vepër penale…Në qoftë se në procedurën e mëtutjeshme, varësisht prej provave të tjera që do të prezantohen, ka gjasa të propozojmë edhe dëshmi të tilla, por për këtë do ta vlerësojmë në fazën e mëtutjeshme”
Prokurori Burim Rustemi nga PSP, u pajtua me kërkesën e mbrojtjes dhe lëshoi gjykatën nga dera e prapme pa mos dhënë deklaratë për media. Kjo është anulimi i tretë i gjykimi për këtë rast pasi që PSP e morri përsipër lëndën. Në rastin “Sopoti” 11 persona akzohen për veprën “terrorizëm” pasi policia dhe prokuroria pohonin se ata në vitin 2013, kishin vendosur një minë në afërsi të fshatit Sopot, nga e cila ndërruan jetë dy ushtarë të misioneve të huaja dhe një banor lokal.
Në bisedat e përgjuara telefonike të publikuara nga ish opozita, Jankullovska dhe Mijallkov dëgjoheshin teksa flasin për rastin “Sopoti” si një rast i montuar politikisht dhe se të dënuarit ishin të pafajshëm por çështja ishte se si shteti dhe MPB ti ikin përgjegjësisë nga nëse të akuzuarit lirohen nga këto vepra. Ferikan Iljazi Arifi

