Më shumë se një dekadë ka kaluar nga koha kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që t’i shpërndajë falas librat për nxënësit e shkollave fillore dhe ato të mesme. Si nismë e Qeverisë, një herë filloi vetëm për nxënësit me status të rrezikuar social dhe më pas u vendos që të gjithë nxënëseve t’u jepen librat shkollor falas për arsimin e obligueshëm fillor dhe të mesëm. Ministria e Arsimit dhe Shkencës në fillim tha se librat do të ndërrohen çdo dy vite, por më pastaj – e shtyu në pesë vite, shkruan gazeta KOHA.
Ky afat pesëvjeçar për t’i ndërruar librat u kritikua nga ekspertët e arsimit, mësuesit dhe profesorët, për shkak se librat nuk mund të qëndrojnë aq gjatë dhe të përdoren deri në pesë vite, sepse dëmtohen dhe pastaj nxënësit nuk mund të marrin informatat e mjaftueshme. Përveç dëmtimit, ekspertët, arsimtarët dhe albanologët shqiptarë, kritikojnë MASH-in se disa nga librat shkollor në gjuhën shqipe, veçanërisht ata të historisë dhe gjeografisë, vazhdojnë të jenë ofendues për shqiptarët, ndërsa librat tjerë kanë gabime të shumta drejtshkrimore, ku në shumë raste ju humb dhe kuptimi.
GABIME TË SHUMTA GJUHËSORE
Albanologia Donika Bakiu për gazetën KOHA është shprehur se gabimet e shumta gjuhësore janë të pranishme thuajse në të gjitha lëndët, në të gjitha tekstet shkollore – duke filluar nga librat e gjuhës shqipe e deri te librat tjerë si gjeografia, matematika… “Për tekstet shkollore ka vite që reagojnë mësimdhënësit. Viteve të fundit, problemi për gabimet gjuhësore në tekstet shkollore po bëhet edhe më i zëshëm. Kam informata se shumë nxënës dhe prindër janë ankuar për këtë fenomen, ku librat përveç gabimeve në drejtshkrim dhe përmbajtje, kanë gabime të shtuara gjuhësore. Por institucionet nuk veprojnë si duhet. Ndoshta tashmë është fillimi, megjithatë pasojat do të shihen më vonë në përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe”, nënvizoi Bakiu.
Donika, ka dhënë edhe disa shembuj ku më së shumti hasen problemet drejtshkrimore në librat shkollor në gjuhën shqipe. “Shpeshherë në libër e shkruajnë fjalën ‘antare’ për gjininë femërore, gjë që drejtë duhet shkruar ‘anëtare’ e jo ‘antare’. Kemi shembuj ku shkronja ‘ë’ është në vend të gabuar: ‘shallë’ duhet të shkruhet pa ‘ë’ – SHALL. Gabime drejtshkrimore vetëm në një tekst: ‘Përshëndetnie’ – përshëndetje, ‘kët’ – këtë, ‘kaltëria’ – kaltërsia, ‘shtrëngonie’ – shtrëngone, ‘mbanie’ – mbaje…”, sqaron Donika disa nga gabimet drejtshkrimore që ndodhin më së shpeshti. Sipas saj, tekstet kanë nevojë për redaktim serioz gjuhësor nga persona serioz. Ajo tha se përgjegjësinë më të madhe lidhur me këto lëshime gjuhësore – që janë të patolerueshme, kryesisht e mbajnë recensentët, redaktorët dhe lektorët. “Gabimet gjuhësore në tekstet shkollore shqipe janë një problem disavjeçar, për të cilin opinioni është alarmuar edhe në të kaluarën edhe në të sotmen, por bie në vesh të shurdhët”, përfundon ajo.
PROGRAME MËSIMORE BASHKËKOHORE
Profesori universitar, Asllan Hamiti, thotë se me keqardhje mund të pohohet se arsimi në Maqedoninë e Veriut, si edhe në vendet e tjera të Ballkanit, dikur ishte më cilësor, ndërsa në dy dhjetëvjetëshit e fundit – gjithnjë e më tepër po përkeqësohet. Sipas tij, fatkeqësisht nga analfabetizmi klasik kemi kaluar në analfabetizmin funksional, apo në “analfabetizëm modern”.
“Tani, me ‘shkollimin në masë’, të gjithë fëmijët tanë ndjekin shkollë fillore e të mesme, thuaja se të gjithë edhe universitete dhe rrjedhimisht – marrin edhe diplomë. Por, disa prej tyre nuk marrin dot as njohuritë themelore profesionale. Element i rëndësishëm i reformave në arsim sigurisht se janë programet lëndore, si dhe tekstet mësimore. Pra, mendoj se së pari duhet hartuar e miratuar programe mësimore bashkëkohore, të përditësuara, të zhveshura nga pikëpamja ideologjike. Në to duhet promovuar vlera humane, të sjelljes e të kulturës, të barazisë e të bashkëjetesës”, nënvizon Hamiti. Ndërkohë sa i përket librave shkollor, ai ka thënë se sigurimi i librave shkollorë të cilësisë së nevojshme kërkon qasje serioze nga Ministria e Arsimit: plane e programe të mira e bashkëkohore, mbështetje materiale e teknike, përzgjedhje e paanshme e dorëshkrimeve nga Komisioni recensues, punë ekipore profesionale…
“Të gjithë ata që përfshihen në përgatitjen dhe botimin e teksteve shkollore: Ministria e Arsimit, hartuesit, përkthyesit, redaktorët, recensentët, lektorët, korrektorët, ilustruesit, përpunuesit teknikë, botuesit etj., këtë veprimtari të rëndësishme për gjithë shoqërinë dhe ardhmërinë tonë duhet ta kryejnë me përkushtim, përgjegjësi e profesionalizëm. Pra, teksteve mësimore duhet kushtuar shumë më tepër kujdes sesa deri më tani, si në pikëpamje përmbajtjesore, ashtu edhe në pikëpamje metodike-didaktike e gjuhësore, sepse ardhmëria e një kombi varet nga shkalla e arsimimit të tij”, përfundon ai. Ndryshe, ani pse sipas Ligjit dhe nenit 6 për arsim fillor dhe të mesëm librat shkollor jepen falas nga Qeveria, disa prindër janë ankuar shpeshherë se një numër i mësueseve në disa shkolla detyrojnë nxënësit të blejnë libra dhe materiale shkollore autoriale, të cilat sipas ligjit, një detyrim i tillë është rreptësishtë e ndaluar dhe dënohet me ligj. (koha.mk)




