Paralelisht me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Shkup, për rastin “Lagja e Trimave” në Kumanovë zhvillohet edhe një proces në gjykatat franceze dhe askush nuk flet për këtë në Maqedoni. Kështu është shprehur opinionisti Arsim Zekolli, në emisionin “Studio e hapur” që u transmetua mbrëmë në Televizionin Shenja. Zekolli paraqet shumë argumente me të cilat ai thotë se dëshmohet roli i shërbimeve sekrete në inskenimin e gjithë ngjarjeve të 9 dhe 10 majit në Kumanovë.
ARSIM ZEKOLLI, ISH AMBASADOR
“Harrojmë një moment tjetër kur flasim për komisionet ndërkombëtare, janë absurde. Kujtojmë shkrimet që pasuan pas ngjarjeve, për disa këshilltarë nga Franca. Harrojmë se në këtë moment nuk është vetëm gjyqi në Shkup, por gjykim ka edhe në Francë, ku personi i akuzuar se ka qenë në Maqedoni në kohën e propagandimit është në gjyq. Askush nuk e përmend”
Në këtë emision janë trajtuar edhe tema të tjera si organizimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale ku Zekolli akuzon pushtetin aktual për shumë keqpërdorime para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Megjithatë ai thotë se këto zgjedhje në kampin shqiptar i ka fituar opozita.
ARSIM ZEKOLLI, ISH AMBASADOR
“Natyra e regjimeve të tilla është se i përpilojnë ligjet ashtu siç u konvenon atyre për ta amnistuar politikën e tyre. Duhet t’ua rikujtojmë, nëse atëherë i keni mbyllur sytë para diçkaje që ishte jo e rregullta dhe të vjedhura, përse e bëni të njëjtën. Me plot përgjegjësi them se këto zgjedhje janë fituar nga opozita”
Zekolli ka lëshuar akuza të rënda në adresë të LSDM-së për padrejtësinë që ka bërë ndaj shqiptarëve edhe gjatë publikimit të aferës së përgjimeve. Ai thotë se edhe në atë process, Zaev ka qenë selektiv dhe ka kursyer funksionarët e BDI-së dhe bashkëpartiakët e tij.
ARSIM ZEKOLLI, ISH AMBASADOR
“Jo ato bomba janë vetëm 30 % për VMRO-në, aty mungon e vërteta për BDI-në. Është vetëm për 10-12 persona në BDI, por janë shumë më intersant ata që nuk përmenden. Nuk ka ‘bomba’ për Izet Mexhitin, për Teuta Arifin. Pse nodhi kjo, u pa vitin e kaluar kur u pa se cilit ishin të preferuarit e LSDM-së në BDI. Aq më shumë, nuk ka bomba për LSDM-në, nuk dimë asgjë. Nëse publikohen, jam i bindur se përshtypja për LSDM-në do të bie ashtu siç është për VMRO-në dhe për BDI-në”
Skenën politike në Maqedoni ish ambasadori Arsim Zekolli e ka quajtur “trekëndshi i bermudeve” ku në krye sipas tij qëndrojnë VMRO-DPMNE dhe LSDM, ndërsa BDI thotë ai është e nënshtruar ndaj dy subjekteve./Arben Zeqiri

