Njësiti për tregti ilegale me drogë pranë SPB Shkup dje pas njohurive operative të marra paraprakisht, në afërsi të stacionit të fundit të autobusit në Hipodrom, ka kryer legjitimim dhe kontroll personal ndaj personit A.M. (27) nga fshati Bullaçanë. Gjatë kontrollit tek personi është gjetur një qese, në të cilën ka pasure dy qese polietileni e marihuanë dhe një vagë digjitale, kumtoi MPB.
Pas sigurimit të urdhrit gjyqësor, siç informojnë nga MPB-ja, është kryer kontroll në shtëpinë e tij në fshatin Bullaçanë, ku është gjetur laboratori për prodhim të marihuanës, në të cilën janë gjetur 69 fidane të marihuanës me cilësi të lartë – (skank), si dhe pajisje teknike si ngrohëse, llamba, pompë uji, filtër dhe sistem të ventilimit, tre qese të mëdha plasmasi me marihuanë të gatshme për shitje, katër shishe plastike me lëng ngjyrë kafe – vaj të prodhuar nga marihuana.
Njëzet e shtatë vjeçari A.M. është privuar nga liria, ndërsa për ngjarjen është njoftuar prokurori publik kujdestar.



