Një sasi prej 24 tonë mish viçi të ngrirë me afat të skaduar nga Brazili, e destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”, është bllokuar veç këtë të enjte nga autoritetet e Malit të Zi në Portin e Tivarit.
Ndërsa rreth një javë më parë, autoritetet malazeze kishin ndaluar edhe tre kontejnerë të tjerë me mish viçi, me peshë totale prej 77 tonësh. Në total rreth 102 tonë mish të skaduar.
Sipas gazetës malazeze Vijesti, mishi ishte nisur drejt Kosovës, ndërsa gjatë kontrollit në port u konstatua se afati i përdorimit kishte skaduar.
Administrata Doganore e Malit të Zi bëri të ditur se më 24 shtator 2026 zyrtarët kontrolluan një kontejner me mish viçi të ngrirë, i cili përmbante 1,321 paketa, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14.05.2026”, thuhet në njoftimin e Administratës Doganore.
Sipas Administratës Doganore, në atë rast ishte konstatuar se deklaratat origjinale, në të cilat ishte shënuar afati i skaduar i përdorimit, ishin hequr dhe zëvendësuar me deklarata ku ishte shënuar një afat tjetër.
Mishi nga këta tre kontejnerë pritet të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.
Për rastet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, në mënyrë që administratat e tjera doganore të jenë të informuara për tentimet për shpërndarjen e mishit.
Në dy rastet, Administrata Doganore thotë se ka ndaluar tranzitin e 102,491.03 kilogramëve, ose gati 103 tonë mish viçi.
Kompania “Apetit SHPK”, është një nga kompanitë e njohura në tregun e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit në Kosovë, e cila nuk e ka per here te pare problemin e tille me mishin e skaduar qe e paraqet si te fresket.



