Një 25-vjeçar nga Haraçina është arrestuar pasi policia gjeti dhe sekuestroi mbi dy kilogramë marihuanë gjatë një bastisjeje të kryer në shtëpinë e tij.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 24 korrik 2026, nëpunës policorë të Njësitit për Tregti të Palejuar dhe Njësitit të Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup, kanë realizuar bastisje në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të B.N. (25) nga Haraçina, rrethina e Shkupit.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar mbi dy kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si marihuanë, si dhe një peshore digjitale me mbetje të marihuanës.
I dyshuari është privuar nga liria, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit, MPB njofton se ndaj tij do të parashtrohet kallëzim penal sipas nenit 215 të Kodit Penal, me procedurë urgjente.


