Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë ditës së djeshme në Shkup është arrestuar Aleksandar Lazarov (41) nga Koçani, i cili javën e kaluar u arratis nga stacioni policor duke dalë nga dritarja.
Për Lazarovin ishte lëshuar fletarrest me kërkesë të Gjykatës Themelore në Koçan, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe substancave kimike që përdoren për prodhimin e drogave.
“Me datë 14.07.2026, pas marrjes së informacioneve operative për një person ndaj të cilit nga MPB-ja ishte lëshuar fletarrest kombëtar dhe ndërkombëtar, nga ana e zyrtarëve policorë të SPB Shkup – Njësia për Kërkime, është privuar nga liria Aleksandar Lazarov (41) nga Koçani”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Lazarov është dërguar në Stacionin Policor në Kisella Vodë për procedurë të mëtejshme.
Ai ishte arrestuar javën e kaluar në hyrje të fshatit Istibanjë të Vinicës, së bashku me J.J. (25), pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, inspektorët kishin gjetur dhe sekuestruar një substancë të bardhë pluhur.
Një ditë më pas, Lazarov arriti të arratisej nga Stacioni Policor në Koçan, pas së cilës u lëshua edhe fletarrest ndërkombëtar për kapjen e tij.



