Vëllai i kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj është arrestuar ditën e sotme nga uniformat blu pasi është dënuar në 2017 për prodhim dhe trafik të lëndëve narkotike.
Në pranga ka rënë Artur Zotkaj, 55 vjeç, po banues në Poliçan.
Referuar njoftimit të policisë së Beratit, në shtator të vitit 2015, përgjatë operacionit policor të koduar “Pronoviku”, në banesën e tij u gjetën e u sekuestruan 9 kilogramë cannabis sativa.
Të kundërten ama shkruhej dikur në dosjen e Prokurorisë për këtë operacion të zhvilluar në 2015.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, ndaluan shtetasin A. Z., 55 vjeç, banues në Poliçan.
Gjykata e Beratit, me vendimin e datës 13.03.2017, e ka dënuar këtë shtetas, me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në muajin shtator 2015, gjatë operacionit “Pronoviku”, në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar 9 kilogramë cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Pjesë nga dosja e Prokurorisë, operacioni “Pronoviku”
Asokohe u deklarua se përgjatë kontrollit në lokalin e Zotkaj u gjetën 19.030 kilogramë lëndë narkotike.
Nga njoftimi i Prokurorisë së kësaj çështje, figuron se shtetasi Kreshnik Hysenbelli ka pasur komunikime të vazhdueshme me Artur Zotkaj për shitje të lëndëve narkotike, e po kështu dhe me një shtetas italian i njohur si Fabricio.
“Më 15.09.2015, Kreshniku ka diskutuar me një shtetas të identifikuar si Miço (Emiliano Hysenbelli) në lidhje me shitjen e një sasie droge të kultivuar nga shtetasi i identifikuar si Toni. Dy ditë më pas, u lokalizua ambienti ku po mbahej lënda, e cila po përpunohej në një ambient biznesi në lagjen ‘Xhenio’ të Poliçanit, në pronësi të Artur Zotkajt”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërhyrja është bërë më 17 shtator, rreth orës 21:00, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme në Policinë e Shtetit dhe FNSH, ku është ndaluar në Poliçan Artur Zotkaj.
Blutë ndaluan edhe Abedin Nurellarin, i cili u gjet në objektin biznes të Zotkajt. U raportua se gjatë këtij operacioni, në ambientin biznes në pronësi të Artur Zotkajt, i mbyllur me qepena, u gjet lëndë narkotike e futur në dy thasë, si dhe e shpërndarë nëpër godinë. Po kështu u gjetën degë të bimës, të cilat ishin varur në këtë ambient me qëllim tharjen, si dhe një peshore elektronike.
Gjatë kontrollit të “Benz”- it me targë AA 959 IS, në pronësi të Zotkajt, janë gjetur një sasi mbetjesh të dyshuara si marijuanë me peshë 13.6 gr, si dhe një shkop metalik me hapje me gjatësi 25 cm, i mbyllur dhe 64 cm, për të cilin u përpilua vendimi për kryerjen e ekspertimit teknik për të përcaktuar nëse është armë e ftohtë.
Zotkaj u mor në pyetje në lidhje me lëndën e gjetur, por ai ka deklaroi se nuk pranon të japë shpjegime pa praninë e avokatit.
Dëshmia e rojes
I pyetur në cilësinë e personit në hetim, Abedin Nurellari deklaroi se ai ishte i punësuar si rojë në biznesin e Artur Zotkajt prej dy vitesh, ku ai ruante karburantin dhe ish–lokalin që ndodhet ngjitur me të, ku u gjet lënda narkotike.
Ai deklaroi se më 17 shtator ka qëndruar në punë, nga ora 08:30 deri në 14:30, kur është larguar.
“Rreth kësaj ore, në objekt ka ardhur Emiliano Hysenbelliu, të cilin e njoh edhe si Miço, që ka sjellë sasinë e lëndës narkotike dhe pas pyetjes që i kam bërë, ai më tha se kishte folur me Arturin”, është shprehur roja.
LEXO EDHE:
EMRI/ I dënuar për prodhim e shitje narkotikësh, në pranga vëllai i kryebashkiakut të Poliçanit