Gostivari ka nevojë për ndryshime. Nëse jam një votë para Asafit shpresoj se do të mar përkrahjen e tij, por edhe nëse ai është një votë para meje, do ta ketë përkrahjen time. Kështu tha kandidati i “Aleancës për Shqiptarët”, Arben Taravari në emisionin “Studio e hapur”. Ai tha se Bejta ka qenë i pasuksesshëm në mandatin e tij në krye të Gostivarit.
“Unë e kam në dorë një anketë të cilën e ka bërë IRI, ku pyetja është kënaqësia me punën e kryetarit të komunës. E dini cila është përgjigja, 86 për qind të qytetarëve nuk janë të kënaqur me punën e kryetarit aktual të komunës, vetëm 12 për qind janë disi të kënaqur ose pak të kënaqur dhe dy për qind janë indiferent”, tha Arben Taravari në “Studio e hapur” në TV SHENJA.
Taravari tha se sipas një hulumtimi të BIRN-i investime në Gostivar ka vetëm 72 euro për kokë banori.
Ai tha se kaosi në trafik është si pasoj e udhëheqjes së gabuar.
Duke komentuar anketën e BIRN-it, sipas së cilës komuna e Gostivarit është njëra nga komunat që më së tepërmi ka mbajtur premtimet, Taravari tha se BIRNI ka analizuar disa projekte të Gostivarit dhe jo të gjitha.
“BIRNI është fokusuar vetëm në dy tre projekte. Edhe i ka theksuar se ato i ka realizuar. Nëse i analizoni të gjitha premtimet e Bejtës. E merrni spotin reklamues të atij të 2013-tës, dhe do të shihni se 90 për qind të atyre që i ka thënë do të shihni se i përsëriten përsëri sivjet”, tha Taravari.

