Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit ndaj ish-ministrit Lefter Koka nuk mund të zbatohet për ta rikthyer në qeli për të vuajtur dënimin e mbetur.
Shkak është trajtimi mjekësor që ish-deputeti i dënuar për dosjen e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit dhe së fundmi për të Tiranës, po bën jashtë vendit.
Lajmin e konfirmon vetë avokati i tij, Maksim Sota, që shpjegon se prej katër muajsh klienti i tij po kurohet jashtë Shqipërisë për problemet shëndetësore nga të cilat vuan.
Vendimmarrja e Apelit do mbetet e paezkekutuar për verdiktin që lidhet me inceneratorin e Tiranës pasi ai gjendet jashtë shtetit prej më shumë se 4 muajsh.
Sota thotë se “i mbrojturi prej tij ka shfaqur probleme shëndetësore që kur gjendej në burg dhe pasi u lirua në muajin dhjetor, ka shkuar jashtë vendit për të marrë trajtim dhe mjekim më të specializuar”.
Sota shpjegoi gjithashtu se vendimi i Apelit të Posaçëm i është njoftuar Kokës dhe se ai do të kthehet sapo të përfundojë kurimin.
Ish-ministri Koka u dënua më 16 prill 2025 nga Shkalla e Parë me 2 vjet burgim për shpërdorim detyre në bashkëpunim në procedurat e aferës së inceneratorit të Tiranës.
Gjykata urdhëroi gjithashtu shuarjen e masës së sigurimit dhe lirimin e tij për këtë çështje me argumentin se dënimi ishte konsumuar gjatë paraburgimit, por dy vendime të tjera për kontratat koncesionare të Elbasanit dhe Fierit e penguan lirimin e tij.
Koka u lirua në dhjetor nga Gjykata e Durrësit, pasi u vlerësua se i kishte kryer dënimet e dhëna ndaj tij. Gjatë gjykimit në Apel, prokurori kërkoi që të përsëritej pjesërisht gjykimi për Kokën, duke kërkuar rillogaritjen e masës së dënimit.
Gjykata e Posaçme e Apelit e pranoi kërkesën e prokurorit dhe vendosi të enjten të prishë pjesën e vendimmarrjes së Shkallës së Parë, lidhur me shuarjen e masës së sigurisë, prej nga duhet që Koka të vuajë pjesën e mbetur të dënimit. Llogaritet se ish-ministrit i kanë mbetur të paktën edhe 6 muaj izolim për të vuajtur.


