Shkurtimi i fondeve IPA nga Bashkimi Evropian për Maqedoninë është një realitet I hidhur, koston e të cilit do ta paguajnë fillimisht qytetarët dhe më pas edhe subjektet politike të cilët janë pjesë e keqmenaxhimit. Kështu vlerëson eksperti ekonomik Abdylmenaf Bexheti. Ai tha se këtë kosto përveç partive që janë në qeverisje do ta paguajë edhe opozita.
“Është një izolim faktik financiar për shkak të keqqeverisjeve të përgjithshme në Maqedoni, që është rezultat i absolvimit të gjitha aspekteve deri tani, përpjekjeve që i ka pasur midis institucioneve për të vetëdijesuar politik bërësit për një qasje serioze në mirë menaxhimin e çështjeve dhe posaçërisht aspektin e krizës politike”, deklaroi për Tv SHENJA, akademiku Abdylmenaf Bexheti.
Ndërkaq, sipas analistit politik, Branko Gerovski, shkurtimi i fondeve IPA nga Brukseli dhe sanksionet e para financiare janë vërejtje të ashpra ndaj politikanëve në Shkup dhe para së gjithash ndaj Qeverisë së Maqedonisë që nëse nuk arrihet marrëveshje politike, shumë shpejtë do të pasojnë sanksione më të ashpra para së gjithash të karakterit financiar.
“Ai lloj i sanksioneve seriozisht do të ndikojë ndaj ekonomisë së Maqedonisë, sepse në një mënyrë ose tjetër, ato të holla do të mungojnë në fitimin dhe ajo do të ndikojë edhe në standardin e qytetarëve. Ndoshta ajo është ideja sepse nëse nuk mblidhet forcë dhe vullnet në Maqedoni që të tejkalohet kjo dramë në të cilën ndodhemi tani ne do të përballemi me dënim, me dënim të merituar do të thoja.”, tha analisti Branko Gerovski.
Bashkimi Evropian ka vendosur që të shkurtoj fondet IPA për Maqedoninë, në vlerë prej 69 milionë euro, ndërsa nga ky shkurtim do të pësojë veçmas korridori 8 dhe 10. Sanksione për Maqedoninë ka pasur edhe javën e kaluar, në vlerë prej 27 milionë euro.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Analistët: Qytetarët paguajnë keq menaxhimin e… by tvshenjaofficial