Qeveria e Zaevit ka pasur hapa të cilat janë mirëpritur nga qytetarët, megjithatë ato ishin hapa populiste, deklaroi analisti politik Sefer Tahiri, duke ju referuar hapave si heqja e testimit ekstern, taksës radiodifuzive, rritjes së pagës minimale dhe të ngjajshme. Tahiri e definon këtë 100 ditësh si relativisht të suksesshëm, por duke i cilësuar si negative rezultatet e Qeverisë, të cilat sipas tij, nuk janë në përputhje me pritjet e mëdha të qytetarëve. Sa i përket integrimeve euroatlantike, Tahiri thotë se kemi parë deklarata, vlerësime dhe analiza, megjithatë akoma nuk kemi parë hapa konkrete.
Sefer Tahiri, analist politik
“Ka pasur edhe disa hapa sa i përket bashkëpunimit rajonal, sidomos me Bullgarinë, gjë që duhet përshëndetur, megjithatë nuk kemi pasur intensifikim të raporteve me Kosovën dhe Shqipërinë dhe në drejtim të integrimeve euroatlantike, sepse kemi parë deklarata, kemi parë vlerësime, analiza, megjithatë hapa konkret akoma nuk kemi“.
Ndërkaq analisti politik Risto Nikovski, tha se marrëveshja me Bullgarinë dhe disa veprime të tjera të Qeverisë, janë gabime strategjike të pafalshme, pasi siç tha ai, të njëjtat ndikojnë në interesat fundamentale të shtetit dhe qytetarëve. Sipas tij, një tjetër gjë që Qeveria nuk e ka realizuar gjatë këtij 100 ditëshi është transparenca, e cila siç tha ai, ka qenë në krye të listës së premtimeve.
Risto Nikovski, analist politik
“Qeveria ka filluar me ndryshime, disa prej tyre janë edhe pozitive, duhet përshëndetur. Megjithatë, në thelb vlerësoj se diçka që kanë premtuar dhe nuk e kanë realizuar është transparenca. Ndoshta Qeveria e kaluar nuk kishte mjaftueshëm transparencë, megjithatë tani gjithçka që bëhet, gjërat kyçe që bëhen, bëhen në një mënyrë aspak transparente”.
Ndërkohë, analisti Sasho Ordanovski thotë se Qeveria e Zaevit po tejkalon nëpër një dramë kadrovike. Në një shkrim të tij, ai shprehet se ‘qindra motorë të regjimit të Gruevskit’, vazhdojnë të mbeten në funksionet e tyre.
Sasho Ordanovski, analist politik
“Drama nëpër të cilën po kalon LSDM tre muaj pas formimit të Qeverisë, është dramë e politikës së tyre kadrovike. Disa njerëz të mençur kanë thënë se në politikë edhe nuk ka diçka tjetër përveç, në fakt, politikës së personelit, sepse, me çfarë njerëz do të rrethohesh, ashtu edhe do të mbarosh. Pas njëqind ditëve në pushtet, pakënaqësia nga politika e personelit, të cilën nëpër negociata të ndërsjella, e udhëheqin Zaevi dhe Shekerinska ( e pastaj edhe me tërë kakofoninë qeverisëse), është e madhe: partia u digjet në eshalone të ndryshme, opinioni po zbavitet ose iritohet me zgjidhje kadrovike ‘nga e para- në rikverc’… Me qindra motorë të regjimit të Gruevskit, tani të liruar nga mobingu i vazhdueshëm psikologjik dhe kriminel para të cilit ishin të ekspozuar për një dekadë të tërë nga VMRO – partia e tyre, akoma janë rehatshëm të ulur nëpër ulëse të ndryshme shtetërore … Për bukuri!”
Analistët vlerësojnë se 100 ditëshi i parë duhet të jetë një test nga i cili në të ardhmen duhet të nxjerr mësim Qeveria dhe bartësit e funksioneve publike që duhet të angazhohen më tepër për të pasur transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj interesit publik dhe qytetarëve.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

