Hipokrizi dhe tentim për të blerë kohë. Kështu e vlerësojnë analistët politik kërkesën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për hetim ndërkombëtar për rastin e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Politologu Xhenis Sulimani thotë se me këtë kërkesë Ahmeti po ashtu dëshmon se nuk iu beson institucioneve që i drejton partia e tij, përfshirë këtu edhe institucionet të drejtësisë, as me ardhjen e Qeverisë së re e cila u promovua si reformatore.
XHENIS SULIMANI, POLITOLOG
“Një kërkesë për hetim ndërkombëtar nga një subjekt i cili qeverisë në Maqedoni për 15 vjet mendoj se është një hipokrizi dhe një kërkesë jo e sinqertë. Mendoj se bëhet vetëm sa për ta larë veten nëse mund të shprehem kështu dhe nga ana tjetër një subjekt politik që kërkon hetim ndërkombëtar tregon se nuk beson në gjyqësor dhe në institucionet e sigurisë me të cilat tash e 15 vjet i ka qeverisë”
Gazetari Isen Saliu rikujton se hetim ndërkombëtar, Ahmeti pati kërkuar edhe për rastin “Monstra”, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë. Ai thotë se edhe në këtë rast kreu i BDI-së tenton vetëm të relativizojë rastin dhe të zbusë revoltën e qytetarëve.
ISEN SALIU, GAZETAR
“Apel të njejtë ndaj FBI-së dërgoi edhe për rastin ‘Monstra’, Ahmeti dhe partia e tij, mirëpo asgjë nuk u bë. Mendoj se në rastin e grupit Kumanovës do të ishte e mirëseardhur, mirëpo nuk është i domosdoshëm hetim ndërkombëtar, sepse të qarta janë dëshmitë, argumentet se rasti ka prapavijë politike, se rasti është i montuar dhe se fajtorët e vërtetë janë tjetërkund dhe nuk janë të dënuar”
Sipas Saliut, hetimin ndërkombëtar BDI duhej ta kërkonte menjëherë pasi ndodhi rasti kur gjurmët dhe argumentet kanë qenë të freskëta. Ai thotë se tani ka rrezik që shumë dëshmi të jenë zhdukur dhe dëshmitarët të kenë ndryshuar mendjen.
ISEN SALIU, GAZETAR
“Hetimi ndërkombëtar ka qenë i nevojshëm menjëherë pasi ka ndodhur rasti, sepse tani pasi kanë kaluar dy vjet e gjysmë, shumë prej dëshmive mund të jenë shkatërruar, shumë prej dëshmitarëve mund të kenë ndryshuar qëndrimet e tyre konform asaj që i nevojitet prokurorisë dhe gjykatës”
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, idenë për hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës e ka përsëritur edhe gjatë takimit të fundit me ambasadorin francez. Ai më herët një hetim të tillë pati përmendur edhe për rastin “Monstra” kur tha se do të kërkojë edhe ndërhyrjen e FBI-së amerikane. Arben Zeqiri /SHENJA/

