Alternativa është një parti që publikisht mbron familjen tradicionale

Alternativa është një parti që publikisht mbron familjen tradicionale

Safije Sadiki-Shahini, Deputete

(Fjalim i mbajtur në Kongresin e Parë të Alternativës)

I nderuar kryetar i Alternativës, z. Afrim Gashi
I nderuari Kryeministër,
Të nderuar kolegë të partive që sot na keni nderuar, ju përfaqësues të diplomacisë dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme, si dhe ju mysafirë të tjerë,
Të dashur delegatë të kongresit, gra të nderuara dhe ju të rinj që jeni zemra e Alternativës,

Jam shumë e nderuar dhe, njëherazi, ndjej përgjegjësi të lartë që detyrën e përfaqësimit të gruas së Alternativës ma keni lënë mua. Sepse, unë e di se në Alternativën tona ka dhjetëra gra që sot meritojnë t’ju drejtohen, secila më meritore për punën dhe suksesin e partisë sonë.
Sidoqoftë, kur jam këtu dhe me këtë detyrë, do të më lejoni të them dy-tri gjëra që më kanë bërë përshtypje që nga angazhimi im politik e deri në ditën kur po e organizojmë këtë kongres.

Unë për vite të tëra kam jetuar në botën akademike dhe kam menduar se politika është diçka e huaj për mua. Madje, duke parë se në skenën politike në jo pak raste ka pasur edhe nëpërkëmbje të grave, thjesht nuk besoja se ka parti politike që mund ta nderojnë gruan deri në përmasa familjare dhe që atë që e flasin dhe e shkruajnë në temën e gruas dhe familjes, edhe e aplikojnë dhe e mbrojnë publikisht dhe politikisht. Prandaj, edhe kur u inkuadrova në Alternativë, skepticizmi im vazhdonte. Siç isha skeptike se do të bëhesha deputete, edhe pse tashmë kisha vendosur ta sfidoj veten. Dhe, ata burra e gra që më pranuan si motër të tyre në këtë parti, nuk lanë gur pa lëvizur që edhe emri im të regjistrohej në emrat e deputetëve të kësaj përbërje parlamentare. Dhe, më duket se askund si sot nuk kam pasur mundësi t’i falënderoj kështu publikisht dhe t’u them se atyre u detyrohem gjithmonë. Ju faleminderit shumë.

Të dashur të pranishëm në këtë kongres, ajo që dua ta vë në spikamë sot janë dy gjëra:
Së pari dua ta theksoj përkushtimin e Alternativës, pra të lidershipit të saj, që gruaja të jetë e pranishme në të gjitha nivelet dhe strukturat e partisë. Ndonëse nuk e kemi detyrim statutar, kryetari ynë ka kërkuar që në çdo strukturë të partisë, që nga nëndegët, së paku 30% të jenë gra. Meqë besoj se kjo nuk ndodhë gjithkund, unë dua ta falënderoj kryetarin për hapësirën që na e ka dhënë dhe dua t’ju them me mburrje se Alternativa është parti pa paragjykime gjinore. Ndonëse askush nuk na e ka zënë hapësirën as më parë, megjithatë me këtë përqindje të pjesëmarrjes, pas këtij kongresi, besoj thellë se Alternativa do të jetë partia me përqindjen më të lartë të grave në vendin tonë. Dhe, ky është një lajm i mirë jo vetëm për emancipimin politik të qytetarëve tanë, por një lajm i mirë edhe demokracinë e vendit tonë, si dhe një sfidë për partitë e tjera politike.

Gjëja tjetër që dua ta potencoj është përkushtimi që ka pasur Alternativa jonë për familjen. Si parti konservatore e qendrës së djathtë, edhe kur partitë e tjera kanë heshtur, madje edhe organizatat që e kanë detyrim formal që ta mbrojnë familjen kanë bërë të shurdhrin, Alternativa – pa drojë dhe pa hezitim – ka dalë publikisht në mbrojtje të familjes tradicionale, duke besuar thellë në konceptin konservator për celulën amëz të shoqërisë. Kjo ka qenë arsyeja që më ka bindur se kur Alternativa e shkruan të zezën mbi të bardhë, se angazhohet për mbrojtjen e këtyre vlerave, kjo ndodhë njëmend dhe ne këtë e kemi dëshmuar në gjithë veprimin tonë politik. Veç tjerash, duke besuar në këtë vlerë, edhe në marrëveshjen tonë politike për t’u inkuadruar në qeveri e kemi vënë një pikë për këtë temë dhe unë mund t’ju them me bindje të plotë se kjo ndodhë për herë të parë në skenën politike pluraliste te ne.

Andaj, sot kur po e shpalosim kongresin e parë të Alternativës, unë jam këtu që t’u bëj thirrje të gjitha grave, ndërsa me gra si emërtim politik i nënkuptoj edhe të gjitha vajzat e reja dhe nënat e tyre, që të na bashkohen në këtë kauzë. Edhe unë dikur kam qenë indiferente, por tash e kam shumë të qartë se në vend se të vajtosh për dhunën në familje, për mungesën e përfaqësimit, për mbrojtjen e familjes, të amësisë, të trashëgimisë dhe të fëmijëve, më mirë është të angazhohesh dhe ta bësh betejën vet. Nuk dua ta personalizoj as fjalën time, as paraqitjen time, por një koincidencë të cilën e di edhe opinioni është se unë isha fëmija më i vogël i nënës sime që kishte mundësi ta votojë ligjin që asaj ia njohu të drejtën e shtetësisë në moshë të pleqërisë. Prandaj, gjithnjë ia vlen të bëhet kjo betejë.

Të dashura gra, mysafire dhe aktiviste, po e përfundoj fjalën time duke ju falënderuar për gjithë angazhimin tuaj të deritanishëm dhe duke ju thënë se unë vazhdoj të jem një zëdhënëse e kërkesave dhe shqetësimeve tuaja, duke qenë e bindur se gjithmonë ka një alternativë. Dhe, emri i kësaj alternative sot është emri i përveçëm i kësaj partie politike.

Duke i dëshiruar punë të mbarë këtij kongresi, ju falënderoj përzemërsisht për kujdesin!