Pas zhvillimeve të fundit që lidhen me ALTA Bankën në Serbi, ka reaguar edhe ALTA Banka AD Manastir, e cila ka dalë me një sqarim publik për të qetësuar klientët lidhur me gjendjen financiare dhe funksionimin e saj.
Nga banka theksojnë se janë entitet juridik i pavarur, i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe që vepron nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Kombëtare. Sipas deklaratës, banka është likuide dhe vazhdon të funksionojë rregullisht, pa ndërprerje në ofrimin e shërbimeve bankare.
ALTA Banka AD Manastir bën të ditur se të gjitha degët dhe bankomatet janë në funksion, ndërsa klientët kanë qasje të papenguar në fondet e tyre. Ata mund të tërheqin para të gatshme, të disponojnë me depozitat dhe të kryejnë të gjitha transaksionet bankare sipas kushteve të zakonshme të operimit.
Në reagim theksohet se zhvillimet që lidhen me bankën në Serbi nuk nënkuptojnë automatikisht ndryshim në gjendjen financiare apo statusin juridik të bankës në Manastir.
Banka gjithashtu nënvizon se operon në kushte dhe rrethana të ndryshme nga ato në Serbi, duke theksuar se aktiviteti i saj bazohet në parime profesionale, afariste dhe rregullatore, pa presione politike të ngjashme me ato të përmendura në kontekstin serb.
Sipas njoftimit, ALTA Banka AD Manastir ka kapitalin, asetet dhe detyrimet e veta, ndërsa operacionet e saj i nënshtrohen mbikëqyrjes së vazhdueshme të Bankës Kombëtare. Po ashtu, depozitat e individëve mbulohen nga Fondi i Sigurimit të Depozitave, në përputhje me kushtet dhe limitet e përcaktuara me ligj.
Në fund të reagimit, banka siguron klientët se vazhdon të përmbushë të gjitha detyrimet dhe se nuk ka kufizime në përdorimin e shërbimeve bankare jashtë kushteve të zakonshme të operimit.
ALTA Banka AD Manastir thekson se mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të klientëve, stabilitetit financiar dhe ruajtjes së besimit të tyre.
MARKETING
<!–



