Ali Ismaili nga Lëvizja BESA tha ata e kanë analizuar problemin me të cilin ballafaqohet Haraçina sa i përket çështjes së ujit të pijshëm. Sipas tij rrjeti ekziston mirëpo nuk ka ujë të mjaftueshëm.
“Ne së pari do të bëjmë renovimin e rrjetit aktual të Haraçinës, ngase tani ka probleme edhe me shtypjen. Renovimi i rrjetit mund të merr diku gjashtë muaj, por për shifër ne këtu nuk mund të flasim pa e marrë detyrën, dhe së bashku me ekipin tim të planifikojmë një strategji afatgjate, që ky problem më mos të ekzistoje”, tha Ismaili.
Ismaili gjatë debatit tha se Haraçinës i duhet një administratë e cila do ta lufton korrupsionin, që do të jetë transparent për të gjitha mjetet që janë të parapara prej buxhetit, ku do të shkojnë dhe ku do të harxhohen.
“Ka disa pika në buxhet të Haraçinës ku harxhohen shuma të majme për shërbime punëtorë në vepër, që i ka angazhuar komuna, mirëpo ato nuk dihet se çfarë pune kanë kryer në komunë të Haraçinës. Me transparencë ne si komunë do ta fitojmë edhe besimin e organeve qendrore, pushtetit qendror gjithashtu edhe bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Ismaili. /SHENJA/

