Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është prononcuar pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani që u realizua në zyrat e Presidencës së Kosovës në Prishtinë, transmeton TV21.
Mes të tjerash, Ahmeti ka njoftuar se në këtë takim ka shprehur shqetësimin e tij për siç thotë, “përkeqësimin serioz të situatës politike në Maqedoni”.
“Në këtë kontekst, nënvizova shqetësimin tim të thellë për përkeqësimin serioz të situatës politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët janë vënë në shënjestër nga një bosht hibrid politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike dhe me një përfaqësim të inxhinieruar politik. Shqiptarët sot po përballen me një ofensivë të rrezikshme që ka për synim zhbërjen e shtyllave të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit”, shkruan Ahmeti.
Ai ka folur edhe për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe ka vlerësuar se “është lënë pas dore”.
“Gjithashtu, theksova se dosja evropiane është lënë pas dore, duke devijuar nga rruga e integrimit dhe vlerave të përbashkëta. Për herë të parë, ide të rrezikshme që vënë në pikëpyetje karakterin shumetnik dhe unitar të shtetit, ashtu siç parashihet në Marrëveshjen e Ohrit, po gjejnë vend në diskursin politik publik.
Këto zhvillime kërkojnë vigjilencë, unitet dhe veprim të koordinuar për të mbrojtur të arriturat tona historike dhe për të garantuar të ardhmen evropiane të qytetarëve tanë”, njofton më tej Ahmeti.