Partitë shqiptare në koalicionin qeveritar, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët heqin dorë edhe nga zotimi kryesor dhe pika që në fushatën parazgjedhore u trumbetua më së shumti. Avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe nuk ka zënë vend në 30 ligjet prioritare të cilat janë përpiluar nga Qeveria dhe pritet të miratohen së shpejti edhe pse partitë shqiptare gjatë fushatës kishin paralajmëruar se ndryshimet e ligjit për përdorimin e gjuhëve do të miratohen madje edhe para votimit të Qeverisë.
“Është një variant që të miratohet ose të futet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë. Këtu ka një lehtësim për shkak se në atë mënyrë futet në ligjet janë me “yll” ose që janë në procesin e integrimit në BE dhe ato ligje kanë kufizime dhjetëditore për miratim. Është edhe një variant tjetër që na jep neve më shumë siguri që të miratohet para formimit të Qeverisë”, ka thënë zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
Si BDI ashtu edhe LR-PDSH patën premtuar se edhe paratë do të jenë në dy gjuhë, ndërsa gjuha shqipe do të jetë zyrtare edhe në qytetet ku shqiptarët janë nën 20 përqind. Ai tha se nuk lëshon pe nga këto pika.
“Aspak dhe asgjë nuk do të lëshojmë pe nga ky përcaktim. Ne jemi për gjuhë shqipe zyrtare në gjithë shtetin. Në të gjithë institucionet e shtetit dhe në dokumentet personale, por edhe në valutën shtetërore, në paratë e shtetit”, ka thënë Ziadin Sela, kryetar i LR-PDSH-së.
Nga BDI për disa media në vend janë arsyetuar se ligji për përdorimin e gjuhës shqipe do të jetë në pakon e reformave të cilat i kërkon BE, por nga Brukseli zyrtar vet zëdhënësja Maja Kocijançiç ka demantuar duke thënë se një ligj i tillë nuk është paraparë të mbajë yllin e Evropës.
Arben Zeqiri

