Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendos masën “arrest në burg” për Indrit Taullai. Ky i fundi u ekstradua nga Kosova mbrëmjen e së enjtes në vendin tonë.
Taullai, ish-anëtar i bandës së Durrësit, u shpall në kërkim nga GJKKO për akuzën e vrasjes me paramendim e grup të strukturuar kriminal. Ai akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005.
Indrit Taullai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.