Bruce Blakeman, kandidat për guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtor i afërt i Donald Trump, ka komentuar qëndrimin që duhet të mbajnë institucionet amerikane kur ndaj qeverive të vendeve aleate të SHBA-së ngrihen akuza serioze për korrupsion.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Blakeman u shpreh se vendet partnere duhet të respektojnë parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe standardet e zgjedhjeve të ndershme.
I pyetur se çfarë duhet të bëjnë institucionet amerikane për të nxitur transparencën dhe përgjegjshmërinë në raste të tilla, ai theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve për funksionimin e lirë të bizneseve dhe respektimin e parimeve demokratike.
“Ne duhet të kemi politika që mbështesin vendet që kanë parime demokratike, lejojnë bizneset të operojnë pa ndërhyrjen e qeverisë dhe ku respektohen të drejtat e njeriut, si dhe zhvillohen zgjedhje të ndershme”, u shpreh Blakeman.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur në Shqipëri vijojnë protestat studentore kundër qeverisë, ndërsa çështjet e korrupsionit, transparencës institucionale dhe përgjegjshmërisë mbeten pjesë e debatit politik.
Pjesë nga intervista;
Çështjet që kanë të bëjnë me fushatën: Kathy Hochul e ka bërë New York-un më të keq. Kemi nivelin më të lartë të taksave në Amerikë. Njerëzit ndihen të pasigurt në komunitetet e tyre. Kathy është guvernatorja më pro krimit në Amerikë. Njerëzit duan ndryshim dhe unë kam treguar se i ul taksat, krijoj vende më të mira pune dhe me paga më të mira. Qarku im ka qenë më i sigurti në Amerikë, sipas të dhënave në media. Unë di si të drejtoj një organizatë të madhe dhe t’i bëj njerëzit të lumtur sërish, duke ulur taksat dhe faturat që paguajnë, si dhe duke vendosur më shumë policë në komunitetet tona.
Unë do të bëj atë që është më e mira për njerëzit e New York-ut. Kathy Hochul është e lidhur me Mamdanin, një komunist që nuk di të drejtojë një qytet të madh. Unë nuk do të shpenzoj miliona dollarë, siç ka bërë Hochul, por do t’u jap qytetarëve shumë më tepër nga sa marrin aktualisht.
Çfarë ju dallon nga Donald Trump?
Ai është pro jetës, ndërsa unë jam pro zgjedhjes. Për sa u përket politikave të emigracionit, unë besoj se njerëzve që e kanë tejkaluar afatin e vizës, që janë punëtorë dhe nuk janë përfshirë në telashe, duhet t’u jepet një leje për të punuar dhe jetuar në SHBA dhe në New York.
Përse duhet t’ju votojë një qytetar i New York-ut që tradicionalisht ka mbështetur demokratët?
Unë jam rizgjedhur edhe me mbështetjen e demokratëve, sepse i mbaj premtimet dhe drejtoj qeverisjen për të gjithë njerëzit.
Kathy Hochul e ka dëmtuar komunitetin. E ritheksoj se ajo ka rritur faturat në atë masë sa qytetarët nuk mund t’i përballojnë, si dhe ka rritur çmimin e energjisë. Në Pensilvani, faturat janë sa gjysma e atyre që paguajnë qytetarët e New York-ut. Ajo ka shpenzuar miliarda dollarë nga paratë tona për njerëzit që vijnë këtu, kërkojnë azil dhe marrin ushqim falas e kujdes shëndetësor në kurrizin tonë.
Ju keni premtuar uljen e faturave të energjisë. Si do ta realizoni këtë?
Ajo dëshiron të na marrë sobat dhe t’i zëvendësojë me soba elektrike. Ajo nuk na lejon të përdorim gazin. Në Pensilvani e bëjnë këtë dhe faturat i kanë më të ulëta. Unë do t’i ul këto fatura duke krijuar vende të reja pune me përfitime, në mënyrë që fëmijët dhe nipërit e emigrantëve të kenë një të ardhme në New York. Unë do të krijoj vende pune, prosperitet dhe një të ardhme më të mirë, ashtu siç kam bërë kudo ku kam drejtuar.
Shqiptaro-amerikanët kontribuojnë në ekonominë dhe jetën qytetare të New York-ut. Çfarë do të bëni për të mbështetur bizneset e tyre?
Kam shumë miq shqiptaro-amerikanë. Shqiptarët janë një popull punëtor, që dëshiron një jetë më të mirë për familjet, siguri, taksa më të ulëta dhe arsim më të mirë për fëmijët. Shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar në shtetin tonë. Unë do t’i mbështes ata, sepse janë emigrantë që punojnë shumë çdo ditë për të ndërtuar një jetë më të mirë. Shqiptarët janë njerëz të familjes dhe duan të dinë se do të kenë një guvernator që kujdeset për fëmijët, mbesat dhe nipërit e tyre.
Si do t’i mbroni emigrantët shqiptarë përmes politikave të emigracionit?
Jam shumë i vendosur për të larguar emigrantët me të dhëna kriminale. Por emigrantëve të ligjshëm, si dhe atyre të paligjshëm që nuk janë përfshirë në krime, duhet t’u jepet mundësia të përfitojnë atë që u takon dhe jo të marrin gjëra falas.
Çfarë roli mund të luani për të forcuar lidhjet mes New York-ut, Shqipërisë dhe komunitetit shqiptaro-amerikan?
Do të krijoja marrëveshje miqësie kulturore dhe marrëveshje tregtare me Shqipërinë. Ne duhet të krijojmë biznese të reja në New York, në mënyrë që jeta të bëhet më e mirë. Shqipëria është një vend i mirë dhe mik i Amerikës. Do të mbështesim të gjitha gjërat që janë të mira jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për amerikanët. Ne jemi vende aleate.
Kur ndaj një qeverie në një vend aleat të SHBA-së ngrihen akuza serioze për korrupsion, çfarë duhet të bëjnë institucionet amerikane për të nxitur transparencën dhe përgjegjshmërinë?
Ne duhet të kemi politika që mbështesin vendet që respektojnë parimet demokratike, lejojnë bizneset të operojnë pa ndërhyrjen e qeverisë dhe garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme.
Në Shqipëri ka një valë protestash të studentëve kundër qeverisë. Nëse ka pretendime serioze për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve, a duhet SHBA-ja të kërkojë publikisht një hetim të pavarur?
Unë nuk i di të gjitha çështjet e brendshme në Shqipëri. Besoj se duhet të mbështesim gjithmonë të drejtat e njeriut në çdo vend të botës. Duhet të mbështesim protestat e lira, por nuk duhet të mbështesim shkatërrimin e pronave apo aktet e dhunës. Këto nuk duhet të jenë pjesë e proceseve politike.
A duhet Uashingtoni ta dënojë publikisht përdorimin e forcës ndaj studentëve që protestojnë kundër qeverisë?
Nëse këta njerëz protestojnë në mënyrë paqësore, nuk duhet të përdoret dhunë. Por, nëse protestuesit shkaktojnë shkatërrime, atëherë edhe forca duhet të përdoret, sepse nuk duhet të ketë kaos, dhunë apo vandalizëm.
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>



