Policia së bashku me Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Punës, kanë bastisur dhjetëra objekte hotelierike dhe kanë mbyllur 13 lokale gjithandej Shkupit pasi ka vërejtur shkelje të ndryshme ligjore. Zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski njoftoi se në objektet që kanë qenë pre e kontrollit janë gjetur edhe lëndë narkotike dhe është parë se klubet, kafenetë, madje u servojnë alkool fëmijëve të mitur.
“Në tetë objekte është konstatuar se ka prani të fëmijëve të mitur, pas çka janë arrestuar katër persona të kësaj moshe. Dy prej tyre janë kapur pasi kanë përdorur drogë ndërsa dy të tjerë për ti legjitimuar. Për këtë shkak, janë mbyllur 13 objekte hotelierike dhe pesë pronar objektesh janë thirrur në bisedë edukative”, ka deklaruar Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.
Policia ka gjetur edhe objekte ku nuk jepet llogaria fiskale dhe nuk respektohet orari i punës së paraparë me ligj dhe u paralajmërua se gjatë periudhës në vazhdim do të ketë kontrolle edhe më të rrepta.
Nga ana e MPB-së dje u zhvillua edhe aksion se a vozitet me automjete në gjendje të dehur, ku nga 272 persona të kontrolluar, 102 prej tyre kanë pasur rezultat pozitiv në alkooltest.
Njëri nga lokalet që u mbyll nga MPB ishte edhe “Versace” i cili pas hapjes së tij bëri bujë në rrjete sociale.
Përndryshe, mbrëmë Policia së bashku me Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Inspektoratin e Punës, ka zbatuar aksion veprim në objektet hotelierike në Shkup. Policia publikoi videon e aksionit.
https://www.facebook.com/makedonskapolicija/videos/1879124739083632/

