Alsat 2019-08-24T15:34:21+02:00
Një emigrant ka ndërruar jetë ndërsa 12 të tjerë janë lënduar në aksidentin e mbrëmshëm në autostradën Demir Kapi-Negotinë. Katër prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë sjellë në Klinikën e Shkupit. Nga policia njoftojnë se vetura në të cilën ndodheshin emigrantët ka goditur një automjet tjetër.
Shoferi e ka braktisur vendin e ngjarjes, në rrjedhë vazhdon aksioni për ndërmarrjen e masave për gjetjen e tij dhe privimin nga liria – tha Toni Angellovski, Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Ministria e Brendshme thonë se po përcjellin situatën dhe nuk presin fluks të ri të emigrantëve
Për momentin nuk kemi njoftim e as indikacione për ndonjë valë të madhe emigrantësh edhe pse gjithë kohës kemi tentativa të emigrantëve të cilët mundohen që të kalojnë përmes territorit tonë kah Evropa edhe pse këtë vit kemi trend të rritjes së numrit të emigrantëve, megjithatë ajo është shumë larg asaj që kishim para 3-4 vitesh kur kishim krizë të madhe refugjatësh – deklaroi Toni Angellovski, Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga janari deri në korrik të këtij viti gjithsej janë penguar 10,017 tentativa për kalim ilegal të kufirit që krahasuar me vitin 2018 është dyfish më i lartë. Për periudhën e njëjtë janë zbuluar 33 raste janë të trafikimit të emigrantëve për të cilët janë ngritur 24 padi penale, për 44 kryerës të kësaj vepre.
Vjollca Aliti
Loading…



