Dy vajza nga Topanica e Kamenicës kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident në Gjermani, që ndodhi në autostradën A5 pranë Appeweierit, të dielën.
“TV Kamenica” ka raportuar se bëhet fjalë për E.Z. 24-vjeçare dhe A.Z 18-vjeçare, nga fshati Topanicë, transmeton kp.
Lidhur me rastin kanë shkruar edhe mediat gjermane. Raportohet se një person i përfshirë në aksident ka pësuar lëndime të rënda.
Sipas dyshimeve të para, shkaku i aksidentit ka qenë një manovër e pasuksesshme për ndryshimin e korsisë, ku dy automjete me shpejtësi të lartë u përplasën me njëra-tjetrën, duke shkaktuar aksidentin fillestar.
Për shkak të përplasjes, pesë automjete që po lëviznin pas tyre nuk arritën të frenonin në kohë, duke shkaktuar një aksident tjetër zinxhiror.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, pasagjerët e katër automjeteve nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa dy vajzat që udhëtonin së bashku në një veturë humbën jetën në vendngjarje.
Autostrada A5, në afërsi të daljes së Appenëeierit në drejtim të Karlsruhe-s, mbeti e mbyllur plotësisht deri rreth orës 20:00.
Derisa policia rrugore e Baden-Badenit ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit, dëmi material i shkaktuar nga aksidenti vlerësohet të jetë mbi 100 mijë euro.


