02 Shkurt
Prokurori i ri publik, Lubomir Joveski ka hapur procedurë parahetimore për abuzim të mundshëm të sistemit elektronik AKMIS. Dyshimet janë të njëjtat sikur të Ministrisë së Drejtësisë- gjegjësisht se në vend që në mënyrë kompjuterike, disa lëndë pranë gjykatësve janë shpërndarë në dorë.
Këtë, muajt e kaluar tashmë e konstatoi grupi i ekspertëve pranë kësaj Ministrie, i cili raportin e dorëzoi në Prokurorinë Publike. Në të janë nënvizuar abuzime nga persona udhëheqës. Dyshimet janë se disa lëndë të caktuara janë dhënë në dorë tek gjykatësit e “preferuar”. Kontrollet janë realizuar në Gjykatën Supreme, në Gjykatën Penale si dhe në gjykata tjera të vendit.
Kryetari i Supremes, Jovo Vangelovski para disa ditëve paralajmëroi se do të formojë komision të vetin që duhet të hulumtojë abuzimin eventual të sistemit AKMIS, pasi, sipas tij, komisioni i ministrisë nuk e ka përfunduar punën në mënyrë profesionale. Gjykatësi suprem dhe kryetari i Shoqatës së gjykatësve Xhemali Saiti, thotë se ai nuk është pjesë e këtij Komisioni të paralajmëruar dhe nuk ka informacione rreth procedurës para-hetimore.
Mbështes çfarëdo procedure që do të vërtetojë parregullsi në punë, edhe nëse bëhet fjalë për mua, edhe pse unë nuk jam drejtpërdrejtë i përfshirë në punën e sistemit AKMIS, kështu që koha do të tregojë nëse ka pasur ose jo abuzime në procedurë të rregullt gjyqësore – deklaroi gjykatësi suprem Xhemali Saiti.
Raporti për kontrollin mbi Gjykatat u prezantua në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas tij, në Gjykatën Supreme, sistemi i automatizuar kompjuterik për shpërndarjen e lëndëve është aplikuar në kundërshtim me rregulloren gjyqësore dhe në vend që lëndët të përfundojnë tek gjykatësit me përzgjedhje të rastësishme, të njëjtat u janë shpërndarë gjykatësve të caktuar.
Alsat -M

