Bekim Berisha, përfaqësues i Aleancës Kombëtare për Integrim, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp ku ka kritikuar ashpër Izet Mexhitin dhe trashëgiminë e tij politike në Komunën e Çairit, duke e cilësuar si “20 vite pushtet me 0 rezultate”. Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Çairit që të mos bien pre e fushatës së Mexhitit. “Ai ka qenë në pushtet 20 vite: tre mandate kryetar komune dhe dy të tjera ushtar i tij më i besuar. Rrugët janë ende të shkatërruara, plehrat ende mbysin lagjet, parkingjet mungojnë, ndërsa planifikimi urban është në kaos. Sot ai vjen e flet për të ardhmen, por kjo është pasqyra e punës së tij deri dje”, tha Berisha.
Përfaqësuesi i AKI-së e akuzoi Mexhitin se po mashtron qytetarët me projekte për të cilat komuna nuk ka kompetencë. “Kemi parë Izet Mexhitin të premtojë ndërtimin e klinikave, xhamive dhe projekte që nuk janë nën juridiksionin e komunës. Kjo nuk është fushatë – kjo është mashtrim elektoral”,– deklaroi ai.
Sipas Berishës, Mexhiti është personi që ka caktuar drejtorët, administratorët dhe politikat që kanë çuar Çairin në gjendjen e sotme. “Ai ka qenë në pushtet më shumë se kushdo tjetër. Ka pasur mundësinë të ndryshojë gjërat, por nuk bëri asgjë për 20 vite. Sot thotë se duhet ndryshim – por nga kush kërkon ndryshim? Nga vetja e tij?”, pyeti ai. Berisha akuzoi Mexhitin se është distancuar nga problemet reale të komunës.
“Iku nga Çairi në Butel dhe nuk ka ardhur asnjëherë të flasë me qytetarët për çerdhet pa vende, për mbeturinat nëpër lagje, për mungesën e ndriçimit publik. Por tani, katër javë para zgjedhjeve, kujtohet për Çairin. Ky nuk është shërbim ndaj qytetarëve – kjo është fushatë për pushtet personal”, – tha ai.
Në fund, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që më 19 tetor t’i thonë “mjaft” premtimeve boshe dhe të zgjedhin një udhëheqje që punon për ta. “Nëse doni të dini si qeveris Izet Mexhiti, shikoni Çairin e sotëm: rrugë të bllokuara, mungesë parqeve, mungesë parkingjesh dhe mungesë transparence. Më 19 tetor ta ndalojmë rrënimin e mëtejshëm të Çairit dhe ta kthejmë në një komunë ku planifikohet, investohet dhe punohet për qytetarin”, përfundoi Berisha.