Ali Ahmeti uron Albon Rexhepin: Shqiptari që po shkruan histori në teknologji dhe eksplorimin hapësinor
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shprehur vlerësimin e lartë për arritjet e Albon Rexhepit nga Çegrani i Gostivarit, i cili po korr suksese të jashtëzakonshme në industrinë e teknologjisë botërore.
Sipas Ahmetit, Rexhepi është bërë pjesë e historisë përmes udhëheqjes së kompanisë DEWETRON, e cila luan një rol kyç në misionin prestigjioz Artemis II. Kjo kompani po jep një kontribut të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe mbikëqyrjen e kapsulës Orion gjatë udhëtimit të saj hapësinor.
“Është krenari të shohim një shqiptar që udhëheq me kompaninë DEWETRON… duke na bërë krenarë të gjithëve,” ka shkruar Ahmeti në mesazhin e tij urues.
Lideri i BDI-së i ka uruar Rexhepit suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional dhe në projektet e reja që lartësojnë emrin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare të shkencës dhe teknologjisë.


