Bashkimi Demokratik për Integrim u ndal sonte në Strugë ku në fjalën e rastit para struganëve kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti akuzoi të gjitha partitë tjera shqiptare se i kanë dëmtuar shqiptarët. Ai duke i quajtur parti të vogla, tha se shqiptarët i kanë lënë me tetë deputet më pak. Megjithatë sipas Ahmetit BDI-ja si parti me njerëz vizionarë, ishte çelësi i formimit të Qeverisë së re. Ai gjithashtu tha se BDI i ka përmbushur premtimet e bëra, dhe sipas tij gjuha shqipe tashmë është zyrtare në Maqedoni. Ahmeti u shpreh i bindur se Maqedonia së shpejti do bëhet pjesë e NATO-s.
“Koncepti ynë, filozofia jonë është perëndimore, është që vendi ynë të jetë pjesë e Evropës, të jetë pjesë e NATO-s. A do bëhet? Sigurisht do bëhet, dhe për këtë jam shumë i sigurtë”, deklaroi Ahmeti.

